Trump anulon takimin me Putinin

Nga A2 CNN
29 Nëntor 2018, 17:30 | Bota
Trump anulon takimin me Putinin

Presidenti amerikan Donald Trump ka anuluar takimin që duhet të zhvillonte me homologun rus, Vladimir Putin në Samitin e G20 në Buenos Aires, për shkak të incidentit të ndodhur mes Rusisë dhe Ukrainës pranë gadishullit të Krimesë.

“Bazuar në faktin që anijet dhe marinarët nuk janë lënë të lirë të rikthehen në Ukrainë, kam vendosur që do të ishte më mirë për të gjithë që të anuloj takimin në Argjentinë me Presidentin Putin”, shkroi Trump në Tëitter.

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1068181371883909121

Më herët Kremlini kishte deklaruar që kishte marrë konfirmin nga Shtëpia e Bardhë se takimi do të realizohej. Ngjarja është quajtur nga Perëndimi agresion i Rusisë ndaj Ukrainës, ndërsa Putin është kundërpërgjigjur duke e quajtur atë një provokim të shtyrë nga Perëndimi.

“Nuk kemi pse të biem dakord mbi të gjitha çështjet por duhet të flasim”, tha zëdhënësi i Putin, Dimitri Peskov. “Kjo nuk është vetëm në interes të të dy vendeve, por të të gjithë botës”.

Ky do të ishte takimi i parë mes dy liderëve që prej korrikut të këtij viti në Finlandë, ku Trump dhe Putin u ulën bashkë për më shumë se dy orë të shoqëruar vetëm nga përkthyesit. Të martën, këshilltari i Trumpit për sigurinë kombëtare, John Bolton, tha se në një takim të mundshëm do të diskutoheshin çështje të sigurisë, kontrolli i armëve dhe probleme rajonale.

Çfarë është G20?
G20, ose Grupi i 20 shteteve, është një forum ndërkombëtar i qeverive dhe guvernatorëve të bankave qendrore të Argjentinës, Australisë, Brazilit, Kanadasë, Kinës, Bashkimit Europian, Francës, Gjermanisë, Indisë, Indonezisë, Italisë, Japonisë, Meksikës, Rusisë, Arabisë Saudite, Afrikës së Jugut, Koresë së Jugut, Turqisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.
I themeluar në vitin 1999 me synimin për të diskutuar mbi politikat që sjellin stabilitetin financiar ndërkombëtar, G20 e ka zgjeruar aktivitetin e tij duke u marrë edhe me çështje përtej përgjegjësive të organizatave pjesëmarrëse.
Së bashku, shtetet pjesëtare të G20, kontribuojnë me 85% të Prodhimit të Brendshëm Bruto botëror, 80% të tregtisë botërore, si dhe përbëjnë 2/3 e popullsisë botërore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos