
Qarku i Lezhës, në prizmin e riskut elektoral, paraqet veçoritë tij, midis prurjeve akademike por edhe rrezikshmërisë së lartë që vjen nga konglomeratin e interesave lokale dhe ekuilibrin e brishtë midis partive kryesore.
Sipas analistit Afrim Krasniqi, “në rastin e Lezhës nuk kemi të bëjmë me individë që janë në listë për shkak se janë të inkriminuar, por kemi të bëjmë me një strukturë që angazhohet në fushatë elektorale dhe që ka lidhje informale dhe bazë gati kriminale në zona të caktuara, dhe riciklohen gjithmonë. Në qoftë se shihni komisionerët dhe përfaqësuesit e komiteteve elektorale, janë të njëjtët individë që kanë shkuar në çdo proces zgjedhor ku ka patur probleme, dhe kjo e bën çdo zgjedhje aty të kontestueshme”, ku sipas tij interesat gërshetohen me një luftë të ashpër politike ku “luftohet për një mandat”.
Sipas tij qarku ka edhe një element tjetër specifik, që ka të bëj me pushtetin vendor. “Kryebashkiaku i Lezhës është zgjedhur më shumë si një person që fitonte sesa një person që zgjidhej”, thotë ai, ndërkohë që Lezha sipas tij është “qyteti me më shumë ndjeke penale në 4 vitet e fundit, 133 zyrtare të akuzuar, të gjithë janë të pafajshëm dhe të gjithë janë në lojë”.
Për analistin Ilir Kalemaj, “forcat politike kanë tentuar të çminojnë rrezikshmërinë e Lezhës, me figurat më intelektuale si Mark Marku dhe Lindita Nikolla”, edhe pse nuk mund të përjashtohen problemet brenda partisë. “Lezha ka pasur specifikën e përplasjes brenda një force politike. Mjafton përballja e kryebashkiakut të Lezhës me ministrin e brendshëm Lleshaj, që shtrëngoi Ramen të çojë Nikollën”, thotë ai në Absolut 4.
Gazetari Armand Bajrami ndërkohë evidenton faktin që sipas tij “mendja shkon te qytetet më të vogla të këtyre qarqeve ku mund të kërkohen problematikat, si në Kurbin, dhe problematikat do të jenë gjithsesi “më shumë në rrethina sesa në qendrën e qyteteve”, aty ku edhe sytë e vëzhguesve do të jenë më të pakët”. (A2 Televizion)