Është zbardhur ngjarja e ndodhur pak ditë më parë në aksin rrugor “Fushë Krujë – Vorë”, ku një i mitur u mor peng për disa orë.
Përmes një njoftimi, Policia ka bërë të ditur se ka arrestuar 2 shtetas, Edmond Kovaçi dhe Dashnor Kovaçi, të cilët për motive të dobëta i hoqën lirinë të miturit.
Ndërkohë lidhur me këtë ngjarje, u shpallën në kërkim edhe dy shtetas të tjerë, shkruan A2 CNN.
Dy personat e shpallur në kërkim kanë goditur me grushta shtetasin e mitur, si dhe një 22-vjeçar dhe një 36-vjeçar (të cilët e shoqëronin të miturin), me qëllim që ata të tërhiqnin kallëzimin.
Policia po punon për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Krujë-Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 01.08.2025, në aksin rrugor “Fushë Krujë – Vorë”.
Identifikohen dhe vihen në pranga 2 shtetas, të cilët për motive të dobëta i hoqën lirinë padrejtësisht një shtetasi të mitur.
Shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të veprimeve të thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 01.08.2025, pas komunikimit me Prokurorin, bënë ndalimin e shtetasve:
• E. K., 33 vjeç dhe D. K., 22 vjeç, të dy banues në Krujë. Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit E. K. dhe A. Z.
Gjatë hetimeve rezultoi se dy të arrestuarit, pas një konflikti për motive të dobëta, i kanë hequr lirinë një shtetasi të mitur.
Më tej, pas kallëzimit, shtetasit E. K. dhe A. Z. (në kërkim), kanë goditur me grushte shtetasin e mitur, si edhe një 22-vjeçar dhe një 36-vjeçar (të cilët e shoqëronin të miturin), me qëllim që ata të tërhiqnin kallëzimin.
Punohet për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)