Të dy autorët e dyshuar të vrasjes së Valbon Beqirit në Durrës janë lënë prapa hekurave nga ana e gjykatës. Arresti me burg u cilësua proporcional nga ana e togave të zeza, duke lënë në qeli autorin e dyshuar Teilor Tivari dhe bashkëpunëtorin Xhenis Dakoli.
Gjykata e Durrësit, me kryesuese gjyqtaren Elitjona Doko, ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg pa afat” për Teilor Tivari, 24 vjeç, i dyshuar për vrasjen e 51-vjeçarit Valbon (Marko) Beqiri. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Ervin Sulaj pranoi kërkesën e prokurorisë, duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë të të riut, shkruan A2 CNN.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, ku mësohet se Tivari ka shprehur pendesë të thellë për krimin. Ai ka pranuar se gjatë një konflikti me Beqirin i ka marrë jetën këtij të fundit.
Në burg u la edhe Xhenis Dakoli, i akuzuar për “moskallëzim të krimit” dhe “përkrahje të autorit të veprës penale”. Avokati i tij, Denis Mekolli, e cilësoi vendimin e gjykatës të padrejtë, duke sqaruar rolin e klientit të mbrojtur prej tij.
Sipas hetimeve të policisë, ngjarja ndodhi paraditen e së enjtes, rreth orës 10:00, në banesën e viktimës. Tivari ishte paraqitur aty për të marrë lëndë narkotike, por situata degjeneroi në debat e më pas në përleshje fizike. Gjatë konfliktit, i dyshuari e goditi disa herë me thikë 51-vjeçarin, i cili ndërroi jetë. (A2 Televizion)