Balaj e Çekiçi: Uellsi dhe Çekia, testet e duhura për shtatorin

Nga A2 CNN
28 Maj 2021, 16:48 | Futboll
Balaj e Çekiçi: Uellsi dhe Çekia, testet e duhura për

Përfaqësuesja shqiptare e futbollit vijon përgatitjet në kuadër të sfidave miqësore të muajit qershor. Edi Reja ka tashmë grupin e plotë, ndërsa skuadrës i janë bashkuar edhe futbollistë si Hysaj, Ismajli apo Gjimshitit të cilët e mbyllën sezonin në Itali më vonë sesa pjesa tjetër e ekipit.

Uellsi dhe Republika Çeke janë testi më i mirë që mund të kishim pasi të dyja këto skuadra kanë thuajse të njëjtin nivel me Poloninë dhe Hungarinë, dy kundërshtarët me të cilët Shqipëria do të përballet në eliminatoret e Botërorit në muajin shtator.

Kështu u shprehën përpara mediave, Bekim Balaj, i rikthyer në ekipin kombëtar, dhe Endri Çekiçi, futbollisti i Ankaraguçu në kampionatin turk.

BEKIM BALAJ

A i shikon këto miqësore si një moment për t’i treguar trajnerit se e meriton të jesh gjithmonë në kombëtare?

Është gjithmonë kënaqësi sa herë që marr ftesën dhe vij në kombëtare. Këto miqësore kanë vlerësimin maksimal, pasi luajmë me kundërshtarë të ngjashëm me ata që kemi në grup dhe do të përballemi në shtator në eliminatore. Përqendrimi është maksimal dhe duhet të bëjmë më të mirën në fushë.

Si është gjendja juaj fizike?

Ndjehem mirë dhe nuk kam asnjë dëmtim, por është fundi i sezonit dhe jemi grumbulluar më herët, për të pasur më shumë kohë për t’u përgatitur.

Si e keni parë skuadrën në tre ndeshjet e para të eliminatoreve? A besoni se mund të luftojmë deri në fund, duke parë kundërshtarët që kemi?

Mendoj se grupi është konsoliduar dhe nuk ka pasur shumë ndryshime. Kemi pasur dy kundërshtarë të lehtë dhe kemi marrë maksimumin. Kemi humbur ndaj Anglisë, por ne nuk duhet të matim forcat me ata, pasi e kemi garën me ekipe të tjera.

Ti i ke matur forcat edhe me Portugalinë dhe ia keni dalë?

Pikët ndaj skuadrave të këtij niveli janë ekstra dhe vijnë shumë rrallë, ndaj ne duhet të vlerësojmë maksimalisht kundërshtarët realë tanët, pasi ndaj tyre duhet të kemi sukses.

Mendoni se mund të luani ende në Europë?

Ndihem shumë mirë dhe besoj që të paktën edhe një apo dy sezone mund të luaj në nivele të larta në ligat europiane.

Është folur për një rikthim në kampionatin shqiptar?

Është kohë merkatoje dhe zëra ka padyshim, por unë në planet e mia kam që të vijoj të luaj jashtë edhe për një apo dy sezone. Nuk e kam menduar ende rikthimin në Superiore.

ENDRI ÇEKIÇI

“Kishim ndeshje me dy fytyra, por pritshmëritë i arritëm me dy fitore dhe një humbje. Notën do ta marrim pas ndeshjeve me kundërshtarët direkt, Poloninë dhe Hungarinë. Lojtarët e Uellsit dhe të Çekisë vijnë pas një sezoni të gjatë, janë në të njëjtin nivel me Poloninë dhe Hungarinë. Duhet të shohim se ku jemi përballë këtyre skuadrave. Nuk vlerësojmë asnjë skuadër, në këto ndeshje do të japim maksimumin dhe, nëse diçka nuk shkon, do të mundohemi ta rregullojmë kur të na duhen pikët.”

24-vjeçari ka luajtur në 31 ndeshje në kampionat me Angaraguçunë, më Turqi, duke shënuar 2 gola, formë të cilën shpreson ta shfaqë edhe në Kombëtare.

“Tek ekipi aktual kam luajtur mesfushor qendre ose numër 10. Edhe në Kombëtare e shoh veten në këtë pozicion. Kam biseduar me trajnerin Reja, e di çfarë kërkon nga unë.  Në momentin që do të më jepet mundësia, do të bëjë maksimumin për ta bindur që jam këtu për ta ndihmuar skuadrën.”

Fatkeqësisht, skuadra Ankaragucu nuk mundi të mbijetonte në Superligën e Turqisë, fakt që hedh dyshime edhe për të ardhmen e Çekiçit.

“Pa dyshim që më ndihmoi sezoni në Turqi, sepse ky kampionat është më i fortë nga ato që kam luajtur më para, më ka ndihmuar më shumë në aspektin personal. Në Turqi ndihem mirë, por futbollit kurrë nuk i dihet të shohim. Goditjet standarde? Këto dy vitet e fundit i kam shfrytëzuar mirë, shpresoj ta shfrytëzoj edhe në kombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos