Finalja e Champions League, City dhe Chelsea kërkojnë majën e Evropës

Nga A2 CNN
28 Maj 2021, 14:41 | Futboll
Finalja e Champions League, City dhe Chelsea kërkojnë majën e

Njëra skuadër për të shkruar historinë dhe një tjetër që kërkon të rikthejë lavdinë. Spektakli i Champions League ka mbërritur etapën finale dhe ka sërish një betejë tërësisht angleze, sikurse dy vite më parë, kur përballeshin Tottenham dhe Liverpool.

Trofeu më i lakmuar këtë herë diskutohet mes Manchester City dhe Chelsea. “Citizens” mbërrijnë për herë të parë kaq larg, teksa në të kaluarën nuk kanë mundur asnjëherë të kalojnë gjysmëfinalet, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për strategun Pep Guardiola. Spanjolli di se si fitohet ky trofe dhe e ka dëshmuar në vitin 2009 dhe 2011, edhe pse për Barcelonën e atyre viteve dukej diçka e thjeshtë.

Nëse për “qytetarët” është e panjohur, skena finale është disi më familjare për Chelsea, që në vitin 2012 mposhti Bayern Munchen dhe u shpall kampion. Blutë e Londrës drejtohen këtë herë nga Thomas Tuchel, gjermani i cili arriti një vit më parë deri në finale me Paris Saint Germain. Chelsea shpreson shumë në rikthimin e Ngolo Kante, liderit të mesfushës, që u dëmtua përballë Leicester në javën e parafundit të Premier League dhe u rikthye në stërvitje vetëm këtë të mërkurë.

Nga kampi tjetër, frika për tërheqjen muskulare të Ilkay Gundogan duket se ka marrë fund, me mesfushorin turko-gjerman që pritet të jetë në fushë nga minuta e parë.

Derbin anglez të Champions e gjykon spanjolli Mateu Lahoz, ndërsa finalja në “Do Dragao” do të mund të ndiqet nga rreth 16 500 spektatorë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos