
Një vend në debatin e zhvilluar në studion e “Absolut 4” zuri dhe lëvizja e ish-zyrtarëve të lartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim të cilët tashmë janë pozicionuar përkrah PS.
Për këtë çështje, sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh se nuk ka ende një vendimmarrje të Kryesisë së PS dhe shtoi se tashmë është një fakt se Lëvizja Socialiste për Integrim është një parti që po shkërmoqet.
“Më vjen mirë që presidenti është në fushatë për partinë e bashkëshortes. Ky president e ka kthyer Presidencën në një zyrë opozite. I them çdo demokrati që për shkak të Lulzimit nuk lulëzoi kurrë, që çdo votë për PD, është votë për ilir Metën. Zoti Naço ka vendosur të largohet nga LSI dhe kjo është një çështje që nuk e kemi diskutuar. Në momentin e duhur, Kryesia do të vendosë. LSI është një parti që po shkërmoqet dhe jam dakord me Lulzim Bashën në 2017 që LSI ta çojmë për skrap. LSI është në proces shkërmoqje dhe figura të saj kanë kërkuar të bashkohen me PS. Në momentin e duhur do të kemi vendimmarrje për këtë çështje”, u shpreh Balla.
Për analistin Dervishi, kjo është një merkato që është zhvilluar gjithmonë përpara zgjedhjeve, por ai u shpreh i sigurt se LSI nuk mund të dalë nga loja kaq lehtë duke iu referuar numrit të votuesve të saj. (A2 Televizion)