
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përsëritur se “Shqipëria i ka tejkaluar detyrat e shtëpisë” dhe se e meriton hapjen e negociatave.
Në fjalën e tij në Kuvend, Balla tha se vendet që nuk janë pro hapjes, marrin një vendim nuk ka fare të bëjë me Shqipërinë: “Çfarë i shtyn ata t’i thonë jo Shqipërisë nuk ka të bëjë fare me Shqipërinë, nuk është pjesë e asaj çfarë ka bërë apo jo Shqipëria, se Shqipëria ka bërë më shumë se sa u tha një vit më parë dhe sot jemi në kushtet kur 26 vende të BE-së mendojnë se vendi i ka tejkaluar detyrat e shtëpisë”.
Gjithashtu, Balla tha se “ajo që na ndryshon nga Maqedonia nuk është cilësia e reformave, se reforma jonë në drejtësi është 10 vite para asaj që duhet të bëjë Maqedonia, por dallimi mes klasës politike në Maqedoni dhe asaj që ne kemi në krahun e opozitës jashtë”.
“Një deputet i djathë në PE me vuri para një vlerësim të PD që kishte bërë për Shqipërinë, ku pasi na përgojonte ne, përgojonte ju që keni tradhtuar partinë tuaj dhe keni hyrë në Kuvend. Një parti politike që furnizon inbox-et e deputetëve të BE-së e Bundestagut me thashetheme, a thua sikur jemi në lagjet e rrethinave ku mblidhen plakat dhe bëjnë muhabet për gjithë dynjajnë. Ne duhet të jemi krenarë sot që kemi një shumicë të madhe në PE mes vendeve anëtare që janë të bindur se e meritojmë fillimin e bisedimeve”, shtoi Balla. (A2 Televizion)