
Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se paketa anti-KÇK është mbështetur nga rekomandimet e Komisionin e Venecias. “Shpresojmë që ky agravim i presidentit të mos vijë nga fakti që Ilir Meta e konsideron veten pjesë e KÇK”, u shpreh Balla.
Ai komentoi edhe tubimin e thërritur nga Meta. “Unë si organizator i shumë protestave dhe takimeve elektorale e di mirë se nuk është e vështirë të mbledhësh ato pak anëtarë partie që i kanë mbetur asaj që Lulzim Basha e quante falimentimi i SHPK-së”, u shpreh Balla.
Ai shtoi se ka ardhur koha që të rishikohet ligji për presidentin. “Jemi shumë të vonuar për të rregulluar funksionalitetin e presidentit të Republikës, i cili të parashikojë edhe rastet kur ai merr foltoren dhe e përdor për një garë të brendshme me opozitën. Unë e kam thënë që kjo nuk ka të bëjë me marrëdhënie institucionale mes presidentit dhe kuvendit. Këtu kemi një garë të brendshme mes opozitës, për lidershipin e saj. Ne kemi njohur deri tani zotin Basha. Besoj se kur të mbarojë ky proces zgjedhor brenda opozitës do të njohim kush do të jetë kryetari i ri i saj”. (A2 Televizion)