Balla takon Begajn për zgjedhjet, komenton takimin e kreut të shtetit me Bylykbashin

Nga A2 CNN
6 Tetor 2022, 10:19 | Politikë
Balla takon Begajn për zgjedhjet, komenton takimin e kreut të shtetit

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi një takim me presidentin e Republikës, Bajram Begaj, me të cilin bisedoi për çështjen e datës së zgjedhjeve.

Balla u shpreh se nuk foli me presidentin për një datë konkrete, ndërsa komentoi dhe takimin e kreut të shtetit me Oerd Bylykbashin, i cili përfaqëson grupimin e Sali Berishës.

“Së pari dua të ndaj vlerësimin se presidencës i është kthyer normaliteti dhe konsultimet e presidentit si kryetar i shtetit me partitë politike jo vetëm për këtë çështje, por për shumë çështje që përfshijnë kompetencat e tij duhet të jetë një normalitet. Të gjitha partitë duhet të respektojnë kompetencat e presidentit.

Zgjedhjet mund të mbahen brenda afatit 15 prill -15 maj. Nuk ishim të prerë në një propozim të caktuar për datën pasi besojmë se presidenti duhet të marrë në konsideratë të gjitha propozimet. Ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në zgjedhje dhe t'i fitojmë ato. Vërej gatishmërinë e presidentit për të dëgjuar të gjithë aktorët politikë.

Unë nuk di kë ka pritur zoti Begaj. Di që në Kuvendin e Shqipërisë kryetarë të grupeve janë Alibeaj, Mediu dhe Dodaj. Nëse deputetë të tjerë duan takim me presidentin, mund ta bëjnë“, tha Balla. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos