
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon nga Kuvendi që të vijojë me ritme më të shpejta në ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Nëpërmjet një shkrese drejtuar Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, KQZ i ka paraqitur deputetëve tre kërkesa që lidhen me administrimin e zgjedhjeve vendore.
E para lidhet me depolitizimin e administratës zgjedhore, ku sipas KQZ-së, roli i partive nuk duhet të jetë thelbësor.
“Qëllimi është që të paktën në aspektin formalo-teknik të kemi një administrim më të mirë të procesit zgjedhor nga komisionet e niveleve të dyta dhe të treta. Përmirësimet që ne nxisim në lidhje me këtë aspekt, jo domosdoshmërish ato duhet, apo mund t’i zhveshin partitë nga e drejta që ato kanë sot në administrimin e zgjedhjeve”.
Përfshi këtu edhe të drejtën për vendimmarrje nga përfaqësuesit e tyre në këto komisione. Prej vitesh aktorët politik akuzojnë njëri-tjetrin për financime të dyshimta në fushatë. Për këtë KQZ kërkon që të qartësohen normat ligjore sa i takon parave që shpenzohen gjatë fushatës në mediat online dhe rrjetet sociale si edhe të caktohen rregulla për paratë që marrin nga palë të treta.
“Të përcaktohen rregulla për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në median në internet (online), në rrjetet sociale dhe në median e shkruar. Të përcaktohen rregulla në lidhje me financimin dhe fushatën e subjekteve të identifikuara si “palë të treta””.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare u implementuan normat ndaluese për funksionarët publikë katër muaj para zgjedhjeve, por KQZ kërkon që këto parashikime të Kodit Zgjedhor të zbatohen edhe për zgjedhjet vendore.
“Të përcaktohet në mënyrë shteruese nëpërmjet përkufizimeve çfarë duhet të jetë e ndaluar për funksionarët publik në kuadër të fushatës zgjedhore, si dhe mekanizmat për verifikimin nga KQZ mbi përdorimin e aseteve publike dhe veprimtarinë e institucioneve publike”.
Në shkresën drejtuar Kuvendit, KQZ vëren se nëse ndryshimet e propozuara miratohen brenda një periudhe 2-3 mujore, do të ishte e mundur aplikimi i tyre në zgjedhjet vendore të pranverës së ardhshme. (A2 Televizion)