Balla: Të gatshëm për hapjen e pjesshme të listave

Nga A2 CNN
9 Korrik 2020, 14:31 | Politikë
Balla: Të gatshëm për hapjen e pjesshme të listave

Përballë mosdakordësisë mes opozitës dhe mazhorancës për miratimin e Reformës Zgjedhore, ndërkombëtarët i janë rikthyer takimeve politike. Në kryesinë e kuvendit, Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar socialist ka pritur ambasadoren e SHBA Yuri Kim.

A2 mësoi se në takimin që zgjati më shume së një orë, është diskutuar për miratimin sa më parë dhe pa vonesa të reformës të dakordësuar edhe me opozitën jashtë parlamentare, si një nga kushtet që duhet plotësuar nga vendi ynë për rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.

Në seancë plenare, Balla tha se Partia Socialiste është e gatshme të pranojë hapjen e listave të partive, edhe pse kjo pjesë nuk është përfshirë në marrëveshjen e arritur me opozitën jashtëparlamentare.

“Duhet të kuptojmë që edhe pse ajo është një marrëveshje për të mos bërë asgjë, rikthimi në fushëbetejë i disa forcave politike, është një dimension i rëndësishëm. Ndërkohë që me ju, jemi të gatshëm, prej majit të vitit 2019, të diskutojmë me ju ndryshimet kushtetuese, të cilat kanë të bëjnë me një hapje të pjesshme të listave dhe vendosjes së një pragu kombëtar që bën sens”, tha Balla. “hapja e listave është hap i rëndësishëm. Shumica e shqiptarëve e mbështesin dhe për këtë mos kini dyshim që PS është gjithmonë reflektim i asaj çfarë duan shumica e shqiptarëve”.

Drafti po pret mbylljen e diskutimeve mes mazhorancës dhe opozitës në Kuvend që kërkon ndryshime kushtetuese. Dy tryezat e krerëve të grupeve parlamentare opozitare me kryeministrin Edi Rama kanë dështuar, duke mos prodhuar asnjë produkt dakordësie, gjë që po vonon edhe miratimin e marrëveshjes me demokratët.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos