Banorët kërkojnë rrugën që u premtohet prej 3 dekadash

Nga A2 CNN
25 Maj 2021, 14:48 | Sociale
Banorët kërkojnë rrugën që u premtohet prej 3 dekadash

Pluhuri në verë dhe gropat e ujit në dimër janë vështirësitë me të cilat hasen mbi 5000 banorët e fshatrave Llakatund, Beshishtë dhe Mekat në rrethin e Vlorës. Paraditen e së martës, një pjesë e banorëve, në shenjë proteste kanë bllokuar rrugën, për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve që prej tre dekadash premtojnë ndërtimin e rrugës.

Gjendja e kësaj rruge, pak më shumë se 4 kilometra e gjatë, prej dekadash e lënë në harresë, ka detyruar banorët e fshatrave Llakatund, Beshishtë dhe Mekat, në rrethin e Vlorës, që të dalin në protestë duke bllokuar për disa minuta edhe rrugën.

Së fundmi, një projekt i nisur për rehabilitimin dhe asfaltimin e rrugës nuk po ecën si duhet dhe banorët akuzojnë se projekti po ndryshohet, duke lënë sërish pa rrugë banorët e fshatit Mekat.

Në reagimet e tyre, banorët tregojnë zhgënjimin dhe durimin e sosur nga premtimet që u janë bërë.

Banorët shprehen se nëse kërkesa e tyre si taksapagues të vendit për të pasur një rrugë nuk merret parasysh, atëherë protesta do të përshkallëzohet më tej. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos