Çdokush që ka blerë një makinë dhe nuk e ka regjistruar në emrin e tij, ka pak javë afat ta bëjë këtë, pasi në të kundërt do të gjobitet.
Kështu shprehet për A2, kreu i Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe.
“Blerëset nga 2 marsi do të kenë gjobë nga 10 deri në 40 mijë lekë, në qoftë se nuk vijnë deri në 28 shkurt për të deklaruar blerjet e vjetra”, thotë Gonxhe.
Ndërsa për shitësin e automjetit, gjithçka është më e thjeshtë. “Me një modul online ata e çlirojnë pronësinë e tyre nga sistemi, në mënyre të njëanshme, duke e provuar me një dokument shitje, pa asnjë penalitet”, thotë ai.

Drejtori prezantoi edhe elementët e rinj të sigurisë për targat që do të përdoren nga tani e tutje.
“Elementi kryesor që sjell siguri të shtuar është bar kodi unik, kemi hologram me elementë sekrete dhe të dukshme që e rrit dinjitetin e targave”, shton kreu i Transportit Rrugor.
Në magazinat e Drejtorisë së Transportit Rrugor ka furnizime me targa të tilla që do të mjaftonin deri në janar të vitit 2023. Nuk do të ketë tarifa shtesë për këto targa, të cilat nuk do të kenë krom në përbërjen e tyre, duke plotësuar kështu një ndër kriteret e vendeve të Bashkimit Europian. (A2 Televizion)