
Ditën e sotme, Gazment Bardhi në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike do të mbledhë Këshillin Kombëtar, mirëpo një vendim i tillë për Kryesinë, është vetëm për interesa personale. Kryesia e Partisë kërkon që takimi i paralajmëruar të mos zhvillohet, e ndërsa akuzojnë Bardhin se po fsheh të vërtetën, pasi sipas tyre nuk ka asnjë rregullore që i lejon atij që të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar.
Sipas tyre, Bardhi po shkel statutin për qëllime personale politike, e ndërsa nuk tërhiqen nga zgjedhjet e së shtunën për kreun e ri të partisë.
“Ditën e djeshme me datë 26.07.2023 Komisioni i Apelimit, Integritetit dhe Etikës në Partinë. Demokratike mori në shqyrtim kërkesën e Kryesisë së Partisë për vlerësimin e përputhshmërisë së Vendimit numër 59, datë 22.07.2023 të Sekretarit të Përgjithshëm me titull “Për thirrjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë”.
Në vendimin e shkurtuar, të publikuar mediatikisht, i cili i është dërguar elektronikisht edhe Sekretarit të Përgjithshëm, Komisioni shprehet se nuk provohet miratimin i kësaj rregulloreje nga Këshilli Kombëtar duke vendosur edhe shfuqizimin e vendimit të Sekretarit të Përgjithshëm.Në reagimet e tij pas marrjes dijeni për vendimin e shkurtuar, Sekretari i Përgjithshëm ngre pretendimin se lajmi për miratimin e kësaj rregullore është publik dhe i shpërndarë gjerësisht nga organet mediatike.
Ky reagim i Sekretarit të Përgjithshëm është një përpjekje për të fshehur të vërtetën e mosekzistencës së rregullores në tërësi dhe pikës 7 të nenit 9 në veçanti. Fakt ështe se nuk ekziston asnjë akt miratimi i kësaj rregulloreje dhe madje as në draft dokumentin e publikuar në media nuk ekziston asnjë pikë 7 e nenit 9 siç është pretendimi mbi bazën e të cilit është thirrur mbledhja e Këshillit Kombëtar. Në këto kushte çdo pretendim i tij për mbledhjen e Këshillit Kombëtar bazuar në këtë pikë të nenit 9 është i sajuar dhe po përdoret nga z Bardhi për arsye personale politike.
Kryerja e veprimeve aktive për organizmin e mbledhjes së Këshillit Kombëtar nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm, në kundërshtim me vendimin e Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës është shkelje flagrante dhe e hapur e Statutit të Partisë Demokratike.
Partia Demokratike do të vijojë rrugën e saj për riorganizimin dhe ringritjen e strukturave të saj të çdo niveli. Ky proces është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm për rrugëtimin e PD drejt përmbushjes së misionit te saj. Të shtunën demokratet do të zgjedhin Kryetarin e Partisë Demokratike dhe do të nisin ringritjen dhe riorganizimin e saj”, thuhet në deklaratë.
Një ditë më parë, Komisioni i Apelimit Integritetit dhe Etikës i Partisë Demokratike, i kryesuar nga Flutura Açka, anuloi mbledhjen e Këshillit Kombëtar, të thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, por ky i fundit nuk tërhiqet nga vendimi i tij.
Kësisjoj, në Partinë Demokratike është hapur një front tjetër lufte duke e thelluar më tej përçarjen. Bardhi është rreshtuar kundër zgjedhjeve për kreun e ri të Partisë Demokratike, ku pa asnjë surprizë pritet rizgjedhja e Lulzim Bashës. Pikërisht për këtë arsye, Kryesia mori vendimin për t’i hequr vulën, duke e kthyer situatën në PD në pikën zero.