Bardhi: Po përgatitet lirimi i një tjetër bosi të krimit të organizuar

Nga A2 CNN
17 Janar 2020, 15:03 | Politikë
Bardhi: Po përgatitet lirimi i një tjetër bosi të krimit

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi pas deklaratës së ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, për të pezulluar gjyqtaren që liroi nga burgu Endrit Doklen.

Ai paralajmëroi se po përgatitet lirimi i një tjetër të burgosuri, pjesë e krimit të organizuar. “Ministrja Etilda Gjonaj dhe shefi i saj Edi Rama nuk guxojnë as t’u përmendin emrat bosëve të krimit të organizuar, të liruar me dijeninë e tyre. Edi Rama dhe Etida Gjonaj duhet t’u shpjegojnë shqiptarëve pse nuk reaguan menjëherë, pasi bosi i krimit Lulzim Berisha u lirua me garanci të Vangjush Dakos? Pse nuk e informojnë opinionin publik se janë në dijeni të plotë që po përgatitet edhe lirimi i bosit të krimit të organizuar Arben Grori?”, tha Bardhi.

Ai shtoi se shkarkimi i drejtorëve, procedimet e gjyqtarëve apo prokurorëve nuk e zhbëjnë dot faktin se bosët e krimit të organizuar janë jashtë burgut. “Lulzim Berisha, Endrit Dokle, Genc Tafili, Ilir Paja, Viktor Ymeri jo vetëm janë jashtë burgut, por kanë dalë me garanci shtetërore, duke u siguruar vende pune”, tha Bardhi. “Të gjithë këta kanë punuar brenda dhe jashtë burgut për të bërë vota për Partinë Socialiste, për të mbajtur në pushtet Edi Ramën. Ata kanë bashkëdrejtuar piramidën shtetërore duke paracaktuar fituesit e tenderëve dhe emërime kyçe në administratë. Për këtë ata janë duke u shpërblyer prej Edi Ramës me lirim të paligjshëm nga burgu, si pjesë e marrëveshjes së tij për bashkëqeverisje me krimin e organizuar”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos