
Data ende nuk është caktuar, por vendi po! Takimi i radhës mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe kryeministrit ende në detyrë Rramush Haradinaj pritet të bëhet në gjykatë. Shefi i qeverisë shqiptare ka paditur homologun, ndërsa ky i fundit po përgatit kundërpërgjigjen e tij penale. Por çfarë i çoi marrëdhëniet e dy kryeministrave deri në përballje ligjore ?
Ramush Haradinaj trashëgoi një marrëdhënie korrekte me Tiranën zyrtare nga Isa Mustafa. Mbledhjet e përbashkëta të qeverive kishin prodhuar shumë premtime por asnjë përplasje, ndërsa fërkimet e tij me Ramën nisen për çështje që shiheshin si të brendshme të Prishtinës.
Edi Rama nuk ngurroi që ditën e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, të luante rolin e “vëllait të madh”, duke sugjeruar zgjidhjen e demarkacionit me Malin e Zi. Deklarata u pa vëngër nga Haradinaj, që i kujtoi se Rama nuk e përfaqësonte Kosovën në takime ndërkombëtare.
Por mjaftoi një trokitje gotash nga afër, për të shuar tensionet. Humori miqësor vazhdoi me 27 gusht, ndërsa Rama priti liderët e Ballkanit perëndimor, i kërkoi homologut të mos ishte serioz në pamje, dhe të hiqte kravatën.
Disa muaj më vonë, radhën e mikpritjes e kishte Haradinaj. Në mbledhjen e qeverisë në Pejë, kryefjalë u bë taksa 100% kundër Serbisë, rast ky kur Edi Rama doli hapur në krah të Haradinaj, duke e mbështetur atë edhe ndaj presionit ndërkombëtar.
Rama edhe njëherë më shume doli nga kostumi i kryeministrit shqiptar, dhe u bë avokat i vendimit të Prishtinës zyrtare që ndërkohë kërkonte nga Europa heqjen e vizave.
Dashuria politike u shtri edhe më tej kur presidenti Thaçi, në fillimvitin e 2019 hapi dyert e shtëpisë së tij dhe bujti liderët shqiptarë bashkë.
Marrëdhënia mes Ramës dhe Haradinaj nisi të kriset po për shkak të Europës. Në fund të prillit, A2 raportoi nga Berlini se në samitin e thirrur nga kancelarja Angela Merkel, me liderët e Ballkanit Perëndimor, pati divergjenca mes dy liderëve shqiptarë.
Asokohe, Haradinaj deklaroi se Rama po i bënte presion në gjuhë të huaj më shumë se vetë Vucic për të hequr taksen. Vetë Rama mohoi duke e akuzuar se gënjeu për të dalë “burrë i mirë”. Të gjithë muajt në vijim u pasuan me akuza të ndërsjella për taksën, dhe për plane të nëndheshme për çështjen e kufijve të Kosovës, që duket se ka qenë edhe pika që derdhi gotën në tavolinë.
Flakën e mbajti ndezur Shengeni ballkanik. Qëndrimi i Ramës ishte në krah të Vucic dhe Zaev, ndërsa Kosova nuk pranoi që të ulet në asnjë nga tre tryezat. Akuzat rënduan deri në tradhti dhe mashtrim. Marrëdhënia mes Ramës dhe Haradinajt ka kaluar disa herë nga shiu në diell, por padia e Kryeministrit të Shqipërisë duket se shuan gjasat për një tjetër përqafim mes tyre. (A2 Televizion)