
Ardhja e pranverës pritet të sjellë lajme të mira mbi fatin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sipas ambasadorit Luigi Soreca, Këshilli Europian që parashikohet të mblidhet në gjysmën e dytë të muajit mars, mund të prodhojë rezultate pozitive në këtë drejtim.
“Liderët e BE do të diskutojnë procesin e zgjerimit në këshill në mars, bashkë me liderët e rajonit ne samitin e Zagrebit në mars. Këshilli i marsit mund të sjellë rezultate pozitive. Këtë javë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se nëse samiti i Zagrebit do të jetë i suksesshëm, BE do të duhet bëjë detyrat e saj. Procesi i Zgjerimit do të nisë bazuar në propozimet e komisionit. Por ka detyra shtëpie për t’u bërë në rajon. Ne duhet të punojmë për angazhimet tona dhe qeveritë në rajon duhet të punojnë për të tyret. Ju si parlamentar keni rol jetik në qeverinë tuaj sa i përket zbatimit të reformave, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar. Roli i parlamenteve nuk mund të nënvlerësohet. Integrimi në BE kërkon vendosmëri politike”, tha Soreca.
Ndërsa sipas kryetarit të Kuvendit Ruçi, BE duhet ët shmangë paragjykimet. “Ballkani perëndimor ndodhet në kryqëzimin e influencave të qytetërimit perëndimor dhe jo perëndimor. Qëndrimet e dyzuara të vendeve skeptike natyrshëm lëshojnë terren për influencat jo perëndimore. Jam i bindur se refuzimi i këshillit për të hapur negociatat tetorin e kaluar nuk është pasuar nga rritja e influencave jo europiane, por BE duhet t’i lexojë qartë rreziqet që i kanosen rajonit. Ne sigurisht po bëjmë detyrën tonë, ky vendim sado i padrejtë sigurisht që nuk na ka dekurajuar”, tha Ruçi.
Për ta bërë më konkrete se çfarë po ndodh në terren tek vendet e rajoni, Majlinda Bregu, kryetarja e Këshillit të Përgjithshëm të Bashkëpunimit Rajonal, përmendi shifra. “Jemi në një presion të jashtëzakonshëm të zhvendosjes së popullsisë nga Ballkani Perëndimor. Në 5 vitet e fundit të paktën 1/3-a e popullsisë së këtyre vendeve është larguar dhe me sa duket nuk është një dukuri që vjen duke rënë”, tha Bregu.
Deklaratat u bënë në Konferencën e Komisioneve Parlamentare për Integrimin të vendeve pjesëmarrëse në Asocim-Stabilizim, e cila zhvilloi mbledhjen e saj të 16. (A2 Televizion)