Barrikadat në Veri, Kurti takon krerët e KFOR dhe EULEX

Nga A2 CNN
26 Dhjetor 2022, 13:30 | Kosova
Barrikadat në Veri, Kurti takon krerët e KFOR dhe EULEX

Ashtu edhe siç e kishte paralajmëruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me komandantin e KFOR-it, gjeneral major Ferenc Kajari dhe shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark me të cilët diskutoi rreth situatës së krijuar në veri të vendit.

Kreu i qeverisë iu tha dy zyrtarëve se liria e lëvizjes duhet të rivendoset sa më shpejt dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë.

Gjatë takimit, u diskutua dhe për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.

Një ditë para Krishtlindjes, Albin Kurti deklaroi se po pret reagimin e KFOR për çështjen e barrikadave dhe shtoi se Kosova nuk mund të presë më gjatë për largimin e tyre dhe rikthimin e lëvizjes në veri.

Kryeministri ka akuzuar drejtpërdrejtë qeverinë serbe se mbështet strukturat kriminale në vendosjen e këtyre barrikadave të cilat tashmë janë në rrugë prej 10 dhjetorit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos