
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me qytetarë dhe biznese në zonën e Qesarakës. Kryedemokrati dëgjoi nga afër problematikat e bizneseve të vogla.
“25 prilli nuk bëhet për partitë, bëhet për ekonominë, bëhet për njerëzit, bëhet për familjet, bëhet për bukën e gojës së tyre. 25 prilli do të jetë dita kur me votën tuaj për ndryshim do të votoni për një shtet që në vend që t’ju trajtojë ju si lopë për t’u mjelë e veten e vet si pronar, do t’ju trajtojë ju si partnerë në zhvillimin e vendit. Në qoftë se ju arrini të krijoni të ardhura, çfarë do të bëni? Do të hapni një furrë tjetër. Do të punësosh edhe 2-3 zonja të tjera, pra do të rrisësh punësimin, do të rrisësh mirëqenien, do të rrisësh pagat, të cilat në vetvete rrisin konsumin. Ky është cikli pozitiv me të cilin ne duam dhe do ta fusim ekonominë. Ndaj për të gjithë biznesin, për të gjithë sipërmarrjen që ka 8 vjet që vuan sepse vetëm 2 apo 3 kanë bërë hajër këto vite sepse janë të lidhur me kryeministrin. Unë kam një dhe vetëm një mesazh. Votë për numrin 9 do të thotë votë për shpëtimin e ekonomisë, do të thotë votë për shpëtimin e biznesit”, i tha Basha një pronari furrash buke.
Në vizitën e tij në një farmaci lokale, Basha tha: “E domosdoshme është që të rimbursojmë familjet që janë goditur nga COVID-i. Sipas llogaritjeve tona, me shifrat reale të cilat janë shumëfishi i atyre që janë shpallur, bëhet fjalë për dhjetëra mijëra familje që kanë harxhuar mesatarisht 2 deri në 3 milionë lekë të vjetra për kurimin. Po të them mesatarisht, se ka shkuar deri në 6 milionë për ata që kanë pasur 3-4 anëtarë të familjes. Për ata që e kanë kaluar rëndë, që i është dashur oksigjeni, i është dashur skaneri disa herë, u janë dashur analizat disa herë, kanë shkuar dhe janë futur në borxh. Ndaj, po përgatisim një paketë për rimbursimin e tyre, por na duhet edhe ndihma juaj. Do flasim edhe me Urdhrin e Farmacistëve që të kemi mundësi të kryqëzojmë të dhënat e familjeve me të dhënat tuaja, për të bërë të mundur një paketë rimbursimi për çdo familje pas 25 prillit”. (A2 Televizion)