
Kryeministri Edi Rama u kërkoi qytetarëve të Gramshit që të zgjedhin rrugën e gjatë me mund dhe sakrifica të Partisë Socialiste për të vazhduar punën që Shqipëria të arrijë në majë dhe jo atë që ofron opozita. Sipas Ramës, recetat joshëse të opozitës janë rruga e shkurtër që historia ka treguar se kush ka rendur në të e ka paguar shtrenjtë. Ai theksoi se përkundër ofertave të opozitës, Partia Socialiste ka zgjedhur të përballet sy më sy me sfidat e vendit.
“Shqiptarët rendën pas Haxhi Qamilit dhe e paguan shtrenjtë. Rendën pas Vehbiut, Sudes dhe Xhaferrit dhe e paguan shtrenjtë. Ne kemi zgjedhur të përballemi sy më sy me ato sfida, duke u përballuar me drejtësinë, duke u përballur me varfërinë, duke shkuar te rrënjët e problemit, duke i dhënë fund grabitjes, zaptimeve dhe me radhë. Kjo është sprovë karakteri jo thjesht për PS, për bashkësinë tonë, për shqiptarët dhe për të vendosur nëse do të vazhdojmë të ngjitemi me mund e sakrifica duke pranuar që edhe do gabojmë e rrëzohemi apo do i biem shkurt duke ecur pas sirenave joshëse e recetave çudibërëse, të parave që do shpërndahen lumë. Këto i kemi dëgjuar dhe pyesni prindërit tuaj, i kanë dëgjuar nga Vehbiu, Sudja e Xhaferri dhe do i kishin bërë edhe vendet e tjera. Nëse shohim vendet e tjera atëherë e kuptojmë që ato vende kanë arritur ku janë duke u ngjitur me forcën e karakterit, punë dhe durim”.
Rama kërkoi nga qytetarët që më 25 prill të bashkohen për të zgjedhur vijimin e punëve dhe të mos ndalen apo kthehen pas.
"Asgjë nuk bie nga qielli përveçse me djersë. Kjo botë është malore është e guximtarëve dhe njerëzve të vendosur që nuk tallen. Nuk ka sukses të lehtë. Nuk kemi luksin të përçahemi përsëri. Ne sot duhet të bashkohemi, të ndajmë qartë rrugët mes rezistencës, punës, durimit, vendosmërinë dhe vetëdijes, se gjërat duan kohën e tyre dhe asaj që kemi parë në të shkuarën, qokat, klientelizmat; tanët dhe të atyre. Është një histori që ia kemi parë sherrin gjithnjë, është e rëndësishme që bashkëmoshatarëve tuaj t’u flisni hapur e t’ua bëni të qartë që vota më 25 prill është vendim i rëndësishëm për të ndarë, do vazhdojmë punën apo do ndalemi? Do ngjitemi apo zbresim poshtë?”
Duke u shprehur se nuk e do pushtetin për vete, kreu i qeverisë tregoi pse u kthye nga emigracioni dhe çfarë do të bëjë për shqiptarët.
“Nuk e dua pushtetin për veten time, këtu nga emigracioni më ka sjellë maja që kam parë për Shqipërinë e gjithë shqiptarët dhe për sa kohë shqiptarët duan të ngjiten, unë e di se si ne mund të ngjitemi në këtë majë dhe jam këtu për të dhënë mishin e shpirtin për ta kapur këtë majë. Ne nuk jemi të rënë nga qielli, ne jemi shqiptarë, me të mirat dhe të metat tona, por ka një dallim të madh mes nesh e atyre. Ne jemi forcë e karakterit që është e të gjithë njerëzve të punës.”
Rama solli në vëmendjen tërmetin dhe pandeminë, ku theksoi se qeveria socialiste mbështeti të majtë e të djathtë pa diferencim. Ai tha se Shqipëria ia doli të sigurojë vaksinimin masiv të popullsisë edhe pse BE e la jashtë.
“Ne nuk kemi shikuar majtas e djathtas, por të gjithë sy më sy me dorë në zemër si shqiptarë dhe jemi bërë një, bashkë me ata, ashtu sikundër, ndërkohë që ne u goditëm aq rëndë nga tërmeti dhe arritëm të bashkojmë energjitë e burimet financiare shumë talente e dije, mijëra punëtorë për të rindërtuar, na erdhi tërmeti që tronditi botën. Tërmeti i pandemisë që ndodh i qëndroi gjeneratave të kohës dhe ne nuk u dorëzuam dhe pse ai tërmet sprovoi sistemet shëndetësore më të mira, ne ia dolëm ta përballojmë dhe të sigurojmë vaksinimin masiv të gjithë popullit pasi BE-ja na la jashtë. Ne jemi një nga dy vendet që sot po masivisht në Ballkan është në fashën më të lartë të vaksinimit për jetë të shpëtuara dhe për numrin e gjyshërve e gjysheve që u është kthyer buzëqeshja. Ne i pamë të gjithë jo si demokratë e socialistë, por si gjyshen e gjyshin tonë, të secilit prej nesh”.
Lufta me pandeminë nuk ka mbaruar, vijoi Rama, ndërsa shprehu bindjen se vetëm me qeverinë e tij do të fitohet. Sipas Ramës, edhe vaksinimi dhe rindërtimi, nuk do të kryhen deri në fund nëse zgjedhjet fitohen nga opozita.
“Falë përpjekjes së madhe e përballjes me sy do të jemi nga të parat vende që do lëmë pas tunelin e pandemisë, por lufta nuk ka mbaruar, jemi në mes të luftës, ne nuk mund të harrojmë shëndetin e njerëzve, duhet të respektojmë rregullat e ruajmë distancimin. Mos ta harrojnë se këtë luftë po e bën dhe po e fiton vetëm kjo shumicë qeverisëse. Këtë do e fitojë kjo shumicë. Harrojeni se me ata të tjerët do vazhdojnë kështu gjërat, apo rindërtimi do kryhet deri në fund apo vaksinimi, harrojeni që Shqipëria që ne po ndërtojmë me shumë mund e punë mund të ndërtohet nga një tjetër forcë, nuk ka forca të tjera përveç bashkimit të të gjithë shqiptarëve që besojnë te puna dhe mundi dhe jo te rruga e shkurtër. Çdo gjë tjetër është përsëritur aq shumë herë në histori sa të përsërisësh të njëtën gjë dhe të besosh se ke rezultat tjetër do të thotë se je budalla”. (A2 Televizion)