
Drejtuesi i fushatës së Partisë Demokratike Qarkun e Durrësit, Edi Paloka, u shpreh në “Ditari” në A2 se Partia Socialiste ka ngritur “një sistem ku ndërthuret krimi me paranë e pisët dhe blerjen e votes”. Kësaj akuze iu përgjigj disa minuta më pas kandidatja e PS-së në këtë qark, Milva Ekonomi, e cila tha se është “fushatë shpifjesh dhe rrëfimesh pa fakte”.
“Kjo fushata e shpifjeve dhe rrëfimeve pa fakte, duket sikur është bërë modë. Unë nuk e pranoj dot as si modë këtë gjë. E rëndësishme është puna që bëhet në territor, trokitja derë më derë, informimi që i bëhet njerëzve. Ne nuk ndamë të majtë e të djathtë në procesin e rindërtimit, vaksinimin po e bëjnë të gjithë në Durrës, demokratë e socialistë. Unë shikoj pjesën që më takon mua, unë jam nëpër zona rurale dhe njerëzit besojnë që ka transformime pozitive”, u shpreh Ekonomi.
Kur u pyet me një akuzë tjetër që vjen nga PD-ja, atë të abuzimit me të dhënat e qytetarëve të marra nga e-Albania, Ekonomi u përgjigj: “Po Partia Demokratike ku i gjen numrat e telefonit? Edhe Partia Demokratike ka telefonuar çdo celular, madje edhe mua. Partia Demokratike nuk i ka marrë ato numra nga terreni sepse familjen time nuk e ka gjetur në terren. Organizatat socialiste janë riorganizuar, me nga dy udhëheqës: një burrë dhe një grua. Çdo organizatë ka listën emërore dhe ka krijuar portalin e saj. Çdo organizatë ka një numër të caktuar individësh dhe me këtë formë kemi kohë që punojmë”.
Në fund, Ekonomi theksoi se në Qarkun e Durrësit, Partia Socialiste do të arrijë objektivin e 8 mandateve, “por mendoj se mund të marrim edhe një tjetër”. (A2 Televizion)