
Kreu demokrat, Lulzim Basha, ka zhvilluar mëngjesin e sotëm një takim me gratë sipërmarrëse në Elbasan. Ai u premtoi atyre se me qeverisjen demokrate do të marrin fund inspektimet dhe gjobat.
“Një pullë e vendosur në vitrinë, në dritare, në hyrje të biznesit të vogël, do t’ia bëjë të pamundur çdo lloj inspektori të shtetit të futet brenda dhe të terrorizojë e të marrë nëpër këmbë sipërmarrësit, t’i trajtojë si të jenë skllevër të shtetit kur në fakt janë ata që mbajnë shtetin, mbajnë dhe shoqërinë, mbajnë dhe ekonominë. Këto pra, do të jenë hapa që menjëherë do t’i vijnë në ndihmë sipërmarrjes në tërësi”.
Ai ripërsëriti edhe njëherë programin elektoral të Partisë demokratike për lehtësimin e sipërmarrjes, ku çdo biznes me xhiron nën 140 milionë lekë të vjetra në muaj, nuk do të paguajë asnjë shumë mbi 0.5% të xhiros vjetore në vit, uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe të naftës. Ai gjithashtu tha se një vendim tjetër i qeverisë së ardhshme do të jetë anulimi i procesit të fiskalizimit, ku sipas kreut të opozitës është një proces korruptiv.
E pranishme në këtë takim ishte edhe kandidatja për deputete e Partisë Demokratike për Elbasanin, Flutura Açka, e cila tha se sot gratë në Shqipëri e kanë më të vështirë se burrat në fushën e sipërmarrjes. (A2 Televizion)