
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke postuar në Facebook një artikull të “Zërit të Amerikës”, ku Transparency International flet për shtet të kapur nga korrupsioni, shkruan se “beteja jonë dhe e shoqërisë shqiptare nuk është kundër Partisë Socialiste, por kundër pakicës së korruptuar që ka kapur shtetin dhe e plaçkit atë me një grusht të vogël njerëzish, me të cilët masakron zgjedhjet, kriminalizon politikën dhe shkatërron ekonominë”.
“Shqiptarët ia dinë dështimet, raportet ndërkombëtare ia kanë ekspozuar babëzinë, askush nuk gënjehet nga ripërtypja e fjalimeve të vjetra të atij që ka varfëruar familjet shqiptare dhe ka degdisur gjysmë milioni shqiptarë. Përballë këtij regjimi, kemi detyrën qytetare të bashkohemi dhe të punojmë për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend. Platforma qytetare për demokracinë do të bëjë bashkë të gjitha forcat e gjalla të shoqërisë që e duan ndryshimin dhe janë të vendosura të shpëtojnë vendin nga sundimi i një pakice që mban peng të ardhmen e tij”, shkruan Basha në rrjetin social. (A2 Televizion)