
Lulzim Basha është rikthyer për të katërtën herë si kryetar i Partisë Demokratike, pas fitores së thellë në zgjedhjet e kësaj të shtune përballë rivalit të vetëm në garë, Gjergji Hani.
Kryetari i ri i PD zgjidhet kështu me 14.539 vota diferencë nga sfidanti i tij, në një proces që është karakterizuar nga përplasjet e brendshme në selinë blu.
Reagimi i parë për rizgjedhjen e Bashës ka ardhur pikërisht nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar dy ditë më parë e shpalli antistatutor procesin e sotëm zgjedhor.
Bardhi është shprehur në Twitter për zgjedhjet që u mbajtën në PD, duke ironizuar hapur fitoren e Bashës.
“Çfarë surprize. Sapo mbërriti në aeroport kurora e “Mbetit të Mbretërisë së Bashkuar” P.s: Statusi s’ka lidhje me asnjë ngjarje joekzistente! Pushime të mbara!”, shkruan ai. (A2 Televizion)