
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka firmosur marrëveshjen me Shoqatën Kombëtare të Biznesit të Vogël dhe të Mesëm. Në fjalën e tij, Basha tha se Partia Demokratike ka në vëmendjen e saj sipërmarrjen e lirë shqiptare e në veçanti sipërmarrjen e vogël e të mesme.
Kreu i PD-së, këtë marrëveshje e ka quajtur një hap drejt qëllimit madhor për ringritjen ekonomike, zgjimit kombëtar ekonomik, hapjes së vendeve të punës dhe rritjes së pagave për shqiptarët.
“Lidhur me mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, Partia Demokratike në qeverisje të vendit angazhohet tërësisht për të mundësuar mbështetjen e fuqishme dhe të menjëhershme ndaj biznesit në tërësi dhe biznesit të vogël dhe të mesëm në veçanti nëpërmjet: çlirimit të tregut nga oligarkia, krimi dhe burokracia, qeverisjes nëpërmjet konceptit të shtetit të vogël, por efecient me prioritet të sipërmarrjes së lirë dhe ku shpenzimet qeveritare janë të ulëta e investimet publike janë të larta, uljen e menjëhershme të barrës fiskale si instrument thelbësor për të rindezur motorin ekonomik të vendit, përmirësimin rrënjësor të klimës së biznesit, reduktimin drastik të burokracisë shtetërore, shndërrimin e Shqipërisë në 30 vendet më tërheqëse në botë për thithjen e investimeve të huaja direkte, thellimin e reformës rregullatore me synimin e transformimit rrënjësor të sistemit të lejeve, licencave, inspektimit me qëllim luftën ndaj korrupsionit, uljen e kostos për biznesin dhe eliminimin e arbitraritetit qeveritar, rritjen e transparencës dhe të konkurrueshmërisë në treg, mbështetjen e biznesit të vogël- të mesëm për inovacionin e zhvillimit teknologjik, sipas modelit të vendeve më të zhvilluara në Europë”, tha Basha.
“Masa të rëndësishme rregullatore dhe fiskale të cilat do të përfshijnë: inspektoriatet e çdolloji do të riorganizohen me një formë gjithëpërfshirëse, paralelisht me këtë reformë të gjitha bizneset do të përfitojnë një periudhë kohore 12-mujore gjatë së cilës do të inspektohen, por nuk do të gjobiten. Pra, një moratorium mbi gjobat për 12 muaj”, shtoi Basha.
Kreu i PD-së theksoi se do të ulet edhe kontributi i sigurimeve shoqërore në masën 18%. (A2 Televizion)