Meta kthen ligjin për sigurimin e detyrueshëm të transportit: Nuk mbron qytetarët, favorizon kompanitë e sigurimit

Nga A2 CNN
14 Prill 2021, 12:05 | Politikë
Meta kthen ligjin për sigurimin e detyrueshëm të transportit: Nuk

Presidenti Ilir Meta kthen për shqyrtim në Kuvend ligjin për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit. Në arsyetimin e kreut të shtetit kërkohet hartimi i një ligji të ri në fushën e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit, që i përshtatet zhvillimeve të tregut, kërkesave të kohës, duke përmirësuar edhe sigurinë juridike dhe masat respektive për mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe interesave të qytetarëve.

“Së pari, për të reflektuar zhvillimet e vrullshme që kanë ndodhur, ndër vite, në këtë sektor, si në vendin tonë, ashtu edhe në vendet e rajonit e të Europës;

Së dyti, për të zbatuar detyrimin e përcaktuara në MSA, në drejtim të përafrimit të legjislacionit me direktivat e BE-së, e konkretisht, me direktivën 2009/103/KE të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, datë 16 shtator 2009. Hartimi i këtij ligji është kërkuar edhe nga Komisioni Europian në Raportet e Progresit për vendin tonë.

Së treti, hartimi i këtij ligji është kërkesë e rezolutave të Kuvendit për vitet e fundit;

Së katërti, hartimi i këtij ligji është rekomanduar edhe nga KLSH;

Së pesti, hartimi i këtij ligji është i nevojshëm për zgjidhjen e disa problematikave, të konstatuara gjatë zbatimit në praktikë të ligjit ekzistues”, janë  këto argumentat e presidentit.

Meta thekson se ky ligj nuk ka mundur t`i japë zgjidhje përcaktimit të nivelit të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit.

“Nuk ka mundur t`i japë zgjidhje kësaj problematike, pasi përmbajtja e dispozitës së nenit 8, nuk garanton zbatimin në praktikë edhe për një kohë shumë të gjatë të sistemit bonus-malus”.

Sipas Metës kjo krijon një situatë të paqartë juridike te qytetarët dhe do të ndikojë edhe në çekuilibrim të tregut, pasi në dukje, primi i sigurimit, do të jetë i ndryshëm në kompani të ndryshme.

“E gjithë kjo situatë, që krijohet për shkak të parashikimeve ligjore opsionale dhe jo detyruese, nuk do të kontribuojë në rritjen e cilësisë së shërbimit në tregun e sigurimeve, apo në cilësinë e sigurisë në transport në tërësi, ndërkohë që statistikat zyrtare reflektojnë qartë se nevojat e shoqërisë shqiptare dhe aktualiteti ynë i përbashkët kërkon detyrimisht shprehjen e vullnetit shtetëror dhe ushtrimin e forcës shtrënguese të ligjit edhe për zgjidhje të tilla”.

Presidenti thekson se Kuvendi reflekton një marrëdhënie të pasinqertë me qytetarët shqiptarë, duke favorizuar kompanitë e sigurimit.

“Kuvendi i Shqipërisë, edhe këtë herë, nuk është treguar transparent dhe objektiv në marrëdhënie me qytetarët dhe përkundrejt interesave të tyre , por me vendimmarrjen e tij ka anuar haptazi në favor të interesit të kompanive të sigurimit, ç’ka ka sjellë dhe reagim publik në media të aktorëve të ndryshëm. Ky vullnet i Kuvendit reflekton një marrëdhënie të pasinqertë me qytetarët shqiptarë, të cilëve po i ofrohet një “risi” e ligjit vetëm përmes një dispozite parazitare, deklarative, që mbetet në dëshirën e kompanive të sigurimit për t`u aplikuar, ose jo”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos