
Ferdinand Xhaferaj, deputet i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, deklaroi se “zgjedhjet e 6 marsit vërtetuan se alternativa e lidershipit të zotit Lulzim Basha nuk mbështetet në mënyrë dërrmuese”.
“Nuk mbështetet nga demokratët, nga elektorati i djathtë dhe ai gri. Prandaj kanë ardhur dorëheqjet, për t’i përcjellë mesazhin e fundit zotit Basha se dorëheqja nuk është fundi i botës. Po na bën me turp të gjithëve”, tha Xhaferaj.
Sipas tij, “mëngjesin e së hënës së 7 marsit, Basha nuk kërkoi ndjesë, por tha me paturpësi që nuk ka humbur asnjë garë”.
“Tani duhet të nisë të flitet për zgjidhje. Të djathtës shqiptare i duhet një zgjidhje përtej Bashës dhe Berishës. Të gjithë jemi në siklet kur flasim për Bashën dhe Berishën, sepse i kemi kolegë. E vërtetë, zoti Berisha përformoi më mirë sesa zoti Basha në këto zgjedhje. Por, të dy bashkë nuk arritën të mundnin dot Edi Ramën”, theksoi Xhaferaj. (A2 Televizion)