Basha takohet me ambasadoren amerikane, e garanton për angazhimin e PD për zgjidhjen e krizës politike

Nga A2 CNN
4 Shkurt 2020, 15:59 | Politikë
Basha takohet me ambasadoren amerikane, e garanton për angazhimin e PD

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka pritur në selinë e PD ambasadoren amerikane Yuri Kim. Sipas takimit me zonjën Kim, Basha ka siguruar se PD dhe opozita po punojnë për t’u dhënë njerëzve një rrugë shprese.

“Kënaqësi e veçantë të mirëpres Znj. Yuri Kim, Ambasadoren e SHBA, aleatit dhe partnerit tonë strategjik. E urova Ambasadoren Kim për detyrën e re dhe e sigurova atë për bashkëpunim të plotë të opozitës në përmbushjen e të gjithë angazhimeve të vendit tonë me SHBA. Ndava me të pikëpamjet për zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe e garantova për angazhimin e plotë dhe serioz të PD në zbatimin e reformave dhe zgjidhjen e krizës politike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë në krah të popullit shqiptar ashtu siç kanë bërë gjatë gjithë historisë së marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve tona”, shkroi Basha në Facebook pas takimit.

Më herët gjatë ditës kreu i PD priti dhe Kryetarin e Parlamentit Europian, David Sassoli, të cilit i konfirmoi se Partia Demokratike dhe opozita po bën gjithçka që aspirata e qytetarëve shqiptarë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian të bëhet realitet sa më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos