
Çështjen e dialogut Serbi-Kosovë, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e evidentoi si temën kryesoren të takimit me Memli Krasniqin, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës që po viziton këto ditë Shqipërinë. Duke i njohur barrën e madhe, Bashkimit Europian dhe vendet e Unionit që nuk e njohin Kosovën, Basha theksoi domosdoshmërinë e integritetit territorial të Kosovës dhe skenarët që mund ta përafronin atë me Bosnjë-Hercegovinën.
Partia Demokratike qëndron fuqimisht në të njëjtin pozicion sa i takon objektivit të këtij dialogu, që është njohja e ndërsjellë midis dy vendeve. Sigurisht një barrë e madhe i përket Bashkimit Europian dhe 5 vendeve anëtare, njohja prej të cilave e realitetit të Republikës së Kosovës, do të shmangë përfundimisht çdo skenar nga ato që shohim, që aviten aktualisht në Bosnjë-Hercegovinë dhe që i kërcënojnë jo thjesht arkitekturën e paqes dhe të stabilitetit në Ballkan.
Memli Krasniqi, kryetari i partisë më të madhe opozitare sot në Kosovë, e cila njihet dhe si Partia e Hashim Thaçit, nënvizoi rëndësinë që ka diskutimi i problemeve të përbashkëta mes dy vendeve, dhe një bashkëpunim më i fortë.
“Ka qenë dhe është shembull i mirë, pavarësisht nëse jemi në opozitë apo qeveri bashkëpunimin e kemi prioritet. Si dy udhëheqës të partive kryesore opozitare thellimi i bashkëpunimit janë detyra të përbashkëta. E falënderova zotin Basha për gatishmërinë e tij për të thelluar bashkëpunimin”.
Krasniqi i uroi Bashës suksese në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, ndërsa vetë është në pozitat e një kryetari partie që rriti ndjeshëm mbështetjen në zgjedhjet e fundit vendore në Kosovë, ndërsa kryeministri Kurti shënoi humbje. (A2 Televizion)