
109-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë ka bërë bashkë në Vlorë Presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.
Ceremonia e ngritjes së flamurit dhe homazhet u zhvilluan në sheshin historik të qytetit, i cili është në fazë rikontruksioni. As kjo ditë e shënuar nuk ka shërbyer për shuarjen e mërive politike. Gjatë gjithë ceremonisë përkujtimore, Meta dhe Rama kanë mbajtur distancë nga njëri-tjetri dhe jo për shkak të pandemisë.
Edhe më i largët dukej kryebashkiaku i Vlorës nga kryeministri Edi Rama.
Edhe në ikje, asnjë përshëndetje e komunikim mes tyre. Vetëm pas largimit, Kreu i Shtetit dha mesazhin për reflektim dhe bashkim.
Të ndarë i ka gjetur edhe demokratët 109-vjetori i Pavarësisë. Nga Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ata përkujtojnë sot edhe çlirimin e vendit.
Ceremonitë dhe aktivitetet për 109-vjetorin e Pavarësisë janë zhvilluar edhe në qytete të tjera të vendit. (A2 Televizion)