
Pesë persona kanë përfunduar në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim pasi kishin organizuar një skemë mashtrimi ku pajisnin udhëtarët në portin e Durrësit me teste të shpejta false për COVID-19.
Policia njofton se ka goditur 2 raste të falsifikimit të tamponëve ndaj qytetarëve të cilët udhëtonin drejtë vendeve të BE-së, në qytetin e Durrësit, ku 1 rast kryhej në bashkëpunim midis një agjencie turistike dhe laboratorit për kryerjen e testeve, dhe 1 rast falsifikimi dhe mashtrimi kryhej nga vetë agjencia e udhëtimit.
“Në vijim të veprimeve nga specialistët për hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
V. B., 65 vjeçe, banuese në Durrës, për veprën penale "Mashtrimi", e punësuar pranë një agjensie udhëtimi, në lagjen nr.4., Durrës;
A. C., 24 vjeçe, për veprën penale "Mashtrimi", B. M., 25 vjeç, për veprat penale "Falsifikimi i dokumenteve" dhe "Mashtrimi", A. D., 23 vjeç, për veprat penale "Falsifikimi i dokumenteve" dhe "Mashtrimi", të 3 banues në Durrës dhe të punësuar pranë një laboratori në lagjen nr.4, Durrës.
Gjithashtu, u shpall në kërkim për veprat penale "Falsifikimi i dokumenteve" dhe "Mashtrimi", shtetasi L. L., 52 vjeç, administrator i laboratorit në lagjen nr.4, Durrës.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke qenë të punësuar pranë agjencisë turistike dhe laboratorit, me anë të falsifikimit dhe mashtrimit, pajisnin qytetarët të cilët do të udhëtonin drejt vendeve të BE-së, me testime "Antigen Rapid", kundrejt përfitimit.
Po nga këta struktura, u arrestua në flagrancë për veprat penale, "Falsifikimi i dokumenteve" dhe "Mashtrimi", shtetësja A. B., 24 vjeçe, si dhe u procedua penalisht për të njëjtat vepra penale, shtetësja O. S., 40 vjeçe, të 2-ja, banuese në Durrës.
Këta shtetase në bashkëpunim me njëra-tjerën, duke qenë të punësuara pranë një agjencie udhëtimesh, në lagjen nr.4, Durrës, me anë të falsifikimit dhe mashtrimit, pajisnin qytetarët të cilët do udhëtonin drejt vendeve të BE-së, me teste "Antigen Rapid", kundrejt përfitimit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan njesi kompjuterike të 2 agjencive, tamponë për kryerjen e testeve dhe disa fletë me përgjigje të testeve të falsifikuara.
"Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia. (A2 Televizion)