Bashkëpunimi PS-PD, Krasniqi: Kushtetuta duhet ndryshuar, vendi rrezikon të shkojë në paralizë vitin e ardhshëm. Duhet kompromis

Nga A2 CNN
21 Shtator 2021, 21:24 | Politikë
Bashkëpunimi PS-PD, Krasniqi: Kushtetuta duhet ndryshuar, vendi rrezikon

"Kushtetuta duhet ndryshuar, pasi vendi rrezikon të shkojë në paralizë, nëse nuk ka një korrektim kushtetues, por kjo nuk arrihet pa një kompromis të madh politik”. Kështu u shpreh në studion e Ditari në A2 CNN, analisti Afrim Krasniqi, sipas të cilit bashkëpunimi politik nuk lidhet me drejtësinë, por me çështje të tjera politike

“Bashkëpunimi politik nuk lidhet me drejtësinë por më çështje të tjera si zgjedhja e presidentit, reforma territoriale, reforma zgjedhore dhe reforma që janë agjendë e parlamentit. Asnjë palë nuk e ndryshon kushtetutën nëse nuk ka kompromis të madh politik. Kushtetuta duhet ndryshuar. Mazhoranca është detyruar të pranojë që norma aktuale kushtetuese nuk është funksionale dhe vendi rrezikon të shkojnë në paralizë, nëse nuk ka një korrektim kushtetues”.

Krasniqi thekson se aktualisht është kryer 55%-60 përqind e vetingut, përkundër asaj që u tha në fillim se në 5 vite do të ishte kryer. Por problemi qëndron se vitin e ardhshëm këtyre strukturave mbaron mandati dhe për pasojë ose do t’u lihet KLGJ dhe KLP për ta kryer vetingun, ose do të gjendet kompromisi. Sipas Krasniqit këto struktura nuk janë në gjendje për ta kryer dhe kjo do të  bllokojë reformën në drejtësi.

“Aktualisht është kryer 55%-60 përqind e vetingut kur para 5 vjetësh u tha që do të jetë kryer. Struktura e parë e vetingut ka mandat 5-vjeçar, mbaron qershorin e ardhshëm, po ashtu dhe Komisioneri Publik.  Sipas Kushtetutës kur mbaron mandati i këtyre strukturave  KLGJ dhe KLP marrin të drejtën për të bërë vetingun përkatës. Këto u krijuan me vonesë dhe shfaqën problematika dhe nuk kanë prestigj, as besimin në publik, as kapacitete dhe ata bënë testin vitin e kaluar dhe koha tregoi që ishin vendime të gabuara. Ata vetë e pranojnë që nuk janë në gjendje ta kryejnë këtë detyrim dhe vitin e ardhshëm ose do t’ua lënë këtyre strukturave që nuk janë në gjendje për ta bërë dhe vetingu merr fund si koncept dhe pritshmëri publike, bllokohet reforma në drejtësi,  ose do të gjendet kompromisi. A e meritojnë këto struktura që të zgjatet mandati? Është krijuar një lloj sistemi brenda sistemit që kërkon emergjencë. A janë funksionale institucionet e reja në konceptin që ne kemi pritur dhe a po mbajnë gjallë besimin e publikut?. Ka disa institucione që e bëjnë, por duhet të shohim akte konkrete nga KLGj e KLP.

Për Krasniqin, para se të nisë dialogu politik, që duhet të jetë serioz dhe të mos jetë peng i interesave të tjera të mazhorancës dhe opozitës, duhet të kryhen disa procese që nga; miratimi i hartës gjyqësore, EURALIUS të japë informacion për pikëpamjet dhe rrugëzgjidhjet për reformën në drejtësi, si dhe parlamenti të marrë në analizë e të bëjë seanca dëgjimore.

“Ministria e Drejtësisë duhet të miratojë hartën gjyqësore që prej një viti e gjysmë ka mbetur peng i një procesi që ka nisur nga KLGJ. Institucionet ndërkombëtare si EURALIUS duhet të japë informacion për pikëpamjet e tyre dhe rrugëzgjidhjet për reformën në drejtësi, mos ta trajtojnë në aspektin politik, por në atë institucional. Parlamenti të marrë në analizë e të bëjë seanca dëgjimore dhe pasi mbarojnë këto procese duhet të nisë dialogu politik dhe ai duhet të jetë shumë serioz, funksionon nëse ka konsensus të gjerë dhe aktorë ndërkombëtarë dhe mos të jetë peng i interesave të tjera. Opozita ka kërkuar ndryshimin e Kushtetutës për të kthyer situatën e 2008-ës, mazhoranca të tjera dhe palët mund të përdorin këtë për të kërkuar kushte të tjera”.

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos