
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i ka dërguar një telegram urimi homologut ukrainas, Zelenskyy me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës.
Teksa vlerëson marrëdhëniet mes dy vendeve, kreu i shtetit, shkruan se Shqipëria ka vendosur ta ngrejë nivelin e pranisë së saj diplomatike në Kiev.
“Më lejoni që me këtë rast të shpreh kënaqësinë për marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve tona, të cilat këtë vit kremtojnë 30-vjetorin e tyre, por edhe të vlerësoj lidhjen e sinqertë midis dy popujve tanë, falë edhe diasporës së hershme shqiptare në Ukrainë. Në këtë 30-vjetor, si shenjë e dëshirës dhe e vullnetit tonë për të qenë sa më pranë Ukrainës dhe për të intensifikuar më tej bashkëpunimin, Shqipëria ka vendosur ta ngrejë nivelin e pranisë së saj diplomatike në Kiev”, shkruan presidenti.
Kreu i shtetit ripërsëriti gjithashtu qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës.
“Përfitoj nga rasti të ritheksoj qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe të pavarësisë së Ukrainës. Ju siguroj se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë në Këshillin e Sigurimit dhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por edhe me mbështetje diplomatike e ushtarake, pasi ndajmë vlera dhe interesa të përbashkëta euroatlantike”, përfundon Begaj. (A2 Televizion)