
Në përfundim të mbledhjes së kryesisë, grupit dhe Kolegjit të kryetarëve që e mbështesin, Enkelejd Alibeaj njoftoi një natë më parë se kishin vendosur ngritjen e një grupi prej 3 deputetësh të mandatuar për bisedime me palën tjetër në PD për daljen me një kandidat në zgjedhje. Sot, Edi Paloka e refuzoi ftesën e Enkelejd Alibeajt dhe e cilësoi këtë hipokrizi dhe tha se e gjithë kjo është pjesë e lojës së Ramës për të shkatërruar opozitës. Paloka konfirmoi daljen ne koalicion për 14 majin.
Paralelisht, Sali Berisha ka depozituar kërkesën për regjistrim në KQZ ashtu si edhe Enkelejd Alibeaj si kryetar i autorizuar me dokumente që një vit më parë nga Lulzim Basha, i cili figuron ende me letra kryetar i partisë.
Negociatat parashikohen deri të premten, afati maksimal për regjistrimin e koalicioneve në KQZ. Ndërkohë, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka njoftuar një mbledhje të mërkurën për regjistrimin e partive politike, por ka lënë për një tjetër ditë debatin për PD-në.
Për këtë çështje u diskutua këtë të martë në Debat, ku të ftuar ishin analistët Ben Andoni, Sami Neza dhe gazetari Bledian Koka.
Neza u shpreh se Celibashi është përpara një vendimmarrje shumë të vështirë. “Vendimi nuk është në fuqi ende pasi lejon rekursin në Gjykatën e Lartë. Për PD-në ka një vendim të vetëm që është dhënë në gjykatën e shkallës së parë. Do të jetë një vendimmarrje e vështirë e Celibashit. Për Alibeajt i duhet të marrë një vendim, i cili e tejkalon nenin 64 të Kodit Zgjedhor, nëse Celibashi do të lejojë Alibeajn në zgjedhje me logon e PD-së. Ky nen nuk le hapësira për personin e autorizuar, por vetëm kryetarin e partisë”, tha Neza.
Ndërkohë, gazetari Bledian Koka u shpreh se Celibashi do të duhet të përdorë logjikën e tij juridike. “Është e vështirë të bësh një parashikim kë do të regjistrojë Celibashi, por unë do të doja të besoja te logjika juridike, e cila e ka shoqëruar zotin Celibashi. Në një nga deklaratat më interesante të tij, Celibashi është shprehur se ne jetojmë këtu dhe unë nuk mund të bëj sikur Basha nuk e ka dhënë dorëheqjen. Problemi është se situata është futur në një ngërç kur Gjykata njohu palë ata që nuk ishin palë, përfaqësuesit juridik të grupimit Alibeaj. Kjo tregon se ka një dorë që kërkon ta mbajë peng PD-në dhe të mos e lejojë të marrë pjesë fare në zgjedhjet lokale të 14 majit. Është e njëjta dorë që opozita të jetë e përçarë”, u shpreh Koka.
Ndërkohë, për analistin Ben Andoni, Celibashi i duhet të bëjë një lloj “akrobacie” për të marrë vendimin, i cili më pas do të shërbejë edhe si precedent.
“Handikapi ka filluar që te gjykata. Vendimi i Apelit është vendim ekzekutiv, që do ta ndjekë rrugën nga sipër poshtë. Ky paradoks i madh që drejtësia po i bën politikës është e pamundur të zgjidhet në këto 3 ditë. Problemi i madh është te grupi që përfaqëson Alibeaj. Aty nuk funksionojnë fare strukturat. Nëse do të funksiononin strukturat, e para do të qartësohej pozicioni i Bashës dhe më pas e gjithë struktura drejtuese. Celibashit i duhet të bëjë një lloj akrobacie. Ky është një moment precedent, i cili do të shërbejë më pas për kriza të tilla”, tha Andoni. (A2 Televizion)