Ditën e sotme u zhvillua në ambientet e Gjykatës së Apelit seanca e radhës e çështjes “Babale”, ku u mor vendimi për shtyrjen e seancës pas kërkesës së deputetit Ervin Salianji për përjashtimin e relatores së çështjes, Edlira Petri.
Pas kërsa kërkesë, gjykata njoftoi se seanca është shtyrë me arsyetimin për t’i dhënë kohë një tjetër trupe të shprehet për këtë kërkesë.
Ndërkohë, vetëm disa orë pas përfudnimit të seancës, me anë të një njoftimi për mediat, Gjykata e Apelit njoftoi se, kërkesa e Salianjit për përjashtim do shqyrtohet nga gjyqtarja Elona Mihali, e cila është relatorja e treshes që ktheu për rigjykim vendimin e Agron Zhukrit.
“Në vijim të komunikimit, mbi çështjen penale me të pandehur Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Kallëzim i rremë” i kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 305 dhe 25 të Kodit Penal, viktim/kallëzues i veprës penale, shtetasi Geron (Agron) Xhafaj, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ju informon si më poshtë:
-Kërkesa me nr. 1650 prot, datë 07.03.2023, bërë nga i pandehuri Ervin Salianji dhe kërkesa me nr. 1651 prot, datë 07.03.2023, bërë nga përfaqësuesi i të pandehurit Jetmit Ollashi, av. Indrit Sefa, për përjashtimin e gjyqtares Edlira Petri, në bazë të shortit elektronik, do të shqyrtohet nga gjyqtare Elona Mihali.”
Njoftimi i Gjykatës së Apelit
Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, dha një prononcim për mediat menjëherë pas mbylljes së seancës së sotme në Gjykatën e Apelit për çështjen “Babale”, ku dha argumentet e tij se përse kërkon përjashtimin e gjyqtares relatore, Edlira Petri.
Sipas Salianjit, kjo është e disata herë që seanca shtyhet, por jo për fajin e tij apo të përfaqësuesve të tij ligjorë. Ai përmendi faktin se në këtë mes ka konflikt interesi për faktin se bashkëshorti i saj, Sokol Sadushi ka njohje dhe miqësi familjare me ish-ministrin Fatmir Xhafaj. (A2 Televizion)

