Berisha: As guvernatorja Kim dhe as Zeusi Rama nuk caktojnë dot kreun e PD

Nga A2 CNN
6 Prill 2022, 15:41 | Politikë
Berisha: As guvernatorja Kim dhe as Zeusi Rama nuk caktojnë dot kreun e PD

“Përveç anëtarëve të PD-së, asnjeri, as guvernatorja Kim dhe as Zeusi Rama, nuk do të kenë kurrë tagër të caktojnë kreun e PD-së”. Kështu u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha, pas mbledhjes së Komisionit të Rithemelimit.

I pyetur nga mediat në lidhje me njohjen e Alibeajt si kreun e komanduar të PD-së nga ambasadorja Kim, Berisha tha se kryetari i PD-së u shkarkua më 11 dhjetor me 4446 vota të delegatëve dhe votave të saj më 18 dhjetor.

“Kryetari i PD-së u shkarkua më 11 dhjetor me 4446 vota të delegatëve dhe votave të saj më 18 dhjetor. Përveç anëtarëve të saj asnjeri, as guvernatorja dhe as Zeusi Rama nuk do të kenë kurrë tagër të caktojnë kreun e PD-së, përpjekje e dështuar për të ndërhyrë në shkeljen e konventës së Vjenës dhe sovranitetin e një force të lirë politike. E përsëris se kurrë as kryetarin dhe as kryesinë nuk e cakton kush veç anëtarësisë së saj. Grupi parlamentar drejtohet nga kryesia e PD-së. Kim ka lënë mënjanë rolin e ambasadores, nuk ka asnjë tagër të ndërhyjë te një forcë politike. Çdo shqiptar e ka të qartë dhe imagjinoni në ç’gjendje ka qenë PD-ja. Zonja në fjalë shkel çdo rregull për shkak të terrenit që ka gjetur te Rama dhe Basha”.

Berisha: Në mbledhjen e komisionit të Rithemelimit u diskutuan listat dhe hapja e PD-së

Gjatë deklaratës së tij para gazetarëve, Berisha tha se në mbledhjen e Komisionit të Rithemelimit u diskutuan problemet organizative të kuvendit të ardhshëm të PD-së, për listat që do të votohet si edhe për hapjen e PD-së. Gjithashtu, ish-kryeministri bëri të ditur se u ngrit grup pune për ngritjen e degëve të PD-së në emigracione dhe Diasporë.

“U diskutuan për listat që do të votohet gjatë këtyre javëve për kryesitë dhe kryetarët dhe vendosmëria që çdo anëtar i PD-së të shprehë vullnetin e tij për kryetarin e degës, kryetarin e grup seksionit dhe me radhë. Në mbledhje, u diskutuan probleme të tjera dhe me këtë rast dua të garantoj çdo anëtar të PD-së se formulari i shpërndarë nuk ka qëllim tjetër përveç pajisjes me dokumentet e PD-së dhe jo për qëllime votimi. Këtu duhet të jemi shumë të qartë. U ra dakord t’i nënshtrohen procesit të Oditit në përputhshmëri me statutin. Diskutuam për zgjerimin e spektrit të organizatave të bashkëpunimit me organizata të tjera përveç atyre partnere dhe ky bashkëpunim do të jetë lokal dhe qendror. PD-ja hapet. Është një hap drejt hapjes së më tejshme të kësaj force politike. U diskutua dhe u ngrit grup pune për ngritjen e degëve të PD-së në emigracione dhe Diasporë. Ishte një mbledhje kryekëput e problemeve organizative të PD-së”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos