
Belind Këlliçi është kandidati më i shkëlqyer për Bashkinë e Tiranës. Kështu është shprehur kreu demokrat Sali Berisha, gjatë një takimi me të rinjtë e FRPD në selinë e Partisë Demokratike, ndërsa akuzoi kryebashkiakun aktual të Tiranës.
“Ne vendosëm sistemin e primareve dhe sot kandidojmë me 61 kandidatë, me në krye Belind Këlliçin, kandidatin tonë të shkëlqyer për Bashkinë e Tiranës. Ata nuk janë më kandidatët e kryetarit dhe kryesisë, por janë kandidatët e votës së lirë dhe kjo ka shndërruar një ndryshim shumë të madh në qëndrimin tonë dhe qëndrimin e shoqërisë shqiptare ndaj nesh. Tirana ka nevojë jetike për ndryshim. Unë do u jap vetëm 2-3 tregues të institucioneve prestigjioze ndërkombëtare”.
Ai tha se Veliaj do të dorëzojë së shpejti detyrën, ndërsa e akuzoi për hajdut të qytetarëve të Tiranës.
“Sot Tirana është në 10 qytetet më të ndotura të planetit. Sot Tirana është ndër 10 vendet me shërbimin shëndetësor më të shkatërruar në planet. Tirana i ka sot këto sepse ka një falls-kryebashkiak. Nëse do bënit, vizatonit, përshkruanit kryebashkiakun aktual që do të dorëzojë së shpejti detyrën, ai është prototipi i një personazhi fake. Por ai është edhe një vjedhës dhe hajdut i pamëshirë i qytetarëve të Tiranës”.
Gjithashtu Berisha falënderoi Këlliçin për premtimin që bëri për transport falas në Tiranë dhe tha se programi i tij do të sjellë një revolucion të vërtetë.
“Transporti falas ishte, mendoj unë, premtimi më i guximshëm, më i domosdoshëm, premtimi që do ndikojë në buxhetin e të gjitha familjeve. Por nuk do ndikojë vetëm në buxhetin, por edhe në shëndetin të gjitha familjeve. E thamë që Tirana është ndër 10 qytetet më të ndotura në botë, sepse këtu trafiku është organizuar me principin se si të udhëtohet më ngadalë, se si njerëzit të thithin sa më shumë gazra toksike. Do pakësohet numri i atyre që përdorin mjetet personale për të shkuar në punë, sepse do përdorin mjetet publike. Tirana nuk është më e varfra, nuk është ndër dhjetë vendet e fundit në botë, por është më e vjedhura. Unë dua ta përgëzoj zotin Këlliçi për këtë premtim solemn me një impakt shumë të madh për jetën e Tiranës. Unë kam besim se me programin e tij do të sjellë një revolucion të vërtetë dhe se qyteti do vendoset në shinat e një qyteti normal dhe me perspektivë”.
Kandidati për Bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi në takimin me të rinjtë premtoi transport publik do të jetë falas për të gjithë qytetarët e Tiranës.
“Përpara jush dua të jap një nga premtimet kryesore të fushatës sime. Me Belind Këlliçin në krye të Bashkisë Tiranë transporti publik për të gjithë qytetarët e Tiranës do të jetë falas duke e bërë Tiranën vendin e dytë në Europë ku ofrohet ky shërbim. Duke i mundësuar minimalisht 200 mijë qytetarëve të Tiranës, të rinjve, të moshuarve, atyre që janë me ndihmë ekonomike që nuk e kanë mundësinë ta përballojnë transportin publik, duke ia mundësuar këtë shërbim çdo qytetari të Tiranës, pa asnjë dallim dhe pa asnjë paragjykim”.
Sipas tij kjo do të mundësohet nga paratë të cilat jepen për inceneratorin e Tiranës e cila nuk funksionon.
“Unë jam këtu për t’i shërbyer qytetit tim, për t’i shërbyer qytetarëve të mi. Me të drejtë më kanë pyetur se ku do të gjenden paratë. Fare e thjeshtë, ju jap vetëm një llogari. Inceneratori të dashur miq është një aferë shumë e madhe. Qytetarët e Tiranës paguajnë çdo ditë 80 mijë euro në ditë për pastrimin e qytetit dhe për këtë proces i cili i merr 41 mijë euro qytetarëve për një shërbim që nuk kryhet. Belind Këlliçi paratë nuk do t’i çojë tek inceneratori por do t’ia kthejë shërbimit ndaj qytetarëve dhe qytetit. Ato miliona euro që shkojnë në xhepat e pushtetarëve nuk do të shkojnë më në atë destinacion, por do të shkojnë për kopshtem çerdhe, shkolla, për investime për rrugë dhe ujë të pijshëm” tha me të rinjtë kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi. (A2 Televizion)