Berisha kthehet në selinë e PD: Demokratët t’i shtrijnë dorën njëri-tjetrit, askush nuk përjashtohet

Nga A2 CNN
25 Mars 2022, 16:45 | Politikë
Berisha kthehet në selinë e PD: Demokratët t’i

Sali Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit të PD u rikthyen në selinë e Partisë Demokratike, pas vendimit të Gjykatës së Tiranës që njohu Kuvendin e 11 Dhjetorit dhe vendimet e dala prej tij. Këtë herë, dyert e selisë ishin të hapura. 

Berisha dhe përfaqësues të Rithemelimit zhvilluan takime me kryetarin e Grupit Parlamentar, Enkelejd Alibeaj dhe Sekretarin e Përgjithshëm Gazment Bardhi, ndonëse këtë të fundit e konsideron të shkarkuar. Qëllimi i bisedës ishta zgjidhja e krizës së brendshme në PD.

Pas takimit, lideri historik i demokratëve doli në një konferencë për shtyp dhe me tone të qeta, nga salla ku Basha drejtonte mbledhjet bëri thirrje për bashkimin e demokratëve: “U bëj thirrje demokratëve t’i shtrijnë dorën njëri-tjetrit dhe të bashkohen për interesin më të madh të vendit. PD është e të gjithë demokratëve, prej saj nuk mund të ketë të larguar”.

https://a2news.com/2022/03/25/alibeaj-nuk-rrezohet-regjimi-i-rames-me-njerez-non-grata/

Një nga vendimet që njohu gjykata ishte edhe shkarkimi i Kryesisë së partisë, ndaj Berisha insiston që diskutimet mes demokratëve të zhvillohen në grupin parlamentar, si i vetmi organ legjitim në PD: “Bisedova me kryetarin e grupit parlamentar Alibeaj dhe Gazment Bardhin. Në këtë diskutim kërkova angazhimin e tyre në procesin e bashkimit të PD”.

Berisha njoftoi se zgjedhjet për kryetarët e degëve do shtyhen për në 20 prill, pas kërkesës së ardhur nga të penduarit që deri dje mbështesin Lulzim Bashën, për t’u bërë pjesë të procesit. Ai vetë konfirmoi sërish ambiciet për të kandiduar për kryetar të PD, duke dhënë një mesazh edhe për amerikanët që janë shprehur kundër rikthimi të tij: “Përgjigjen më të shkëlqyer, SHBA-së ia kanë dhënë demokratët me votën e lirë. Marrëdhëniet e mia me SHBA janë dhe do të mbeten marrëdhënie të diktuara nga vlerat e lirisë dhe parimet e demokracisë”.

Zbutja e toneve të Berishës u pa edhe kur fjala ra tek ish-kryetari Lulzim Basha: “Nuk është më Lul Brava, por deputeti Basha”.

Berisha konfirmoi se në vijim, Komisioni i Rithemelimit do të zhvillojë aktivitetin politik nga selia qendrore e Partisë Demokratike, ashtu siç e parashikon statuti i ndryshuar më 11 dhjetor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos