Feja dhe etnia, Dule akuza për censusin, qeveria: Pyetja, jo detyruese

Nga A2 CNN
25 Mars 2022, 15:55 | Politikë
Feja dhe etnia, Dule akuza për censusin, qeveria: Pyetja, jo detyruese

Shtatë muaj nga nisja e censusit të popullsisë dhe banesave kanë nisur përplasjet e para. Historia përsëritet si në vitin 2011 ku përfaqësues të minoriteteve ngrenë pretendimet për një proces të parregullt.

Nga salla e Kuvendit, Vangjel Dule u shpreh se ekzekutivi nuk është konsultuar me përfaqësues të komuniteteve të kulteve dhe minoriteteve, gjë që sipas tij po minon procesin.

“Një nga problemet thelbësore të praktikave të censusit në vitin 2001 dhe 2011 ka qenë regjistrimi i pjesëtarëve të minoriteteve etnike dhe i komuniteteve fetare. Pse kjo fobi? Sërish po minoni kredibilitetin e procesit. Konfuzion i cili do të reflektohet në rezultatin e këtij censusi”, deklaroi Dule.

Qeveria shqiptare ka një mendim tjetër. Sipas Ministres së Financave hartimi i pyetësorit të censusit është konsultuar me të gjitha grupet e interesit duke nënvizuar se në formular nuk do të mungojnë pyetjet sa i takon etnisë dhe fesë por këto të fundit nuk do të jenë detyruese. 

Nuk është e vërtetë që nuk janë marrë në konsideratë të gjithë grupet e interesit për hartimin e pyetësorit. Pyetjet sa i përket etnisë dhe fesë janë jo të detyrueshme. Në rastin tonë INSTAT ka vendosur t’i lërë si pyetje fakultative.

Krahas akuzave, Dule kishte edhe një kërkesë që censusi të mund të plotësohet edhe online, gjë që do t’i jepte mundësi minoritarëve që jetojnë në Greqi ta plotësojnë pa pasur nevojë të vijnë në Shqipëri, kërkesë e cila nuk mori përgjigjen e qeverisë e cila ka vendosur që plotësimi i pyetësorit të bëhet derë më derë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos