Berisha mesazh Europës: Pa votën e lirë nuk do të ketë stabilitet në Shqipëri

Nga A2 CNN
6 Dhjetor 2022, 13:41 | Politikë

Sali Berisha falënderoi protestuesit që iu bashkuan në tubimin e opozitës kundër qeverisë Rama, të zhvilluar në të njëjtën ditë të liderëve të Bashkimit Europian.

Berisha u uroi mirëseardhjen liderëve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor. “U shprehim mirënjohjen tonë të pakufishme për ndihmën e gjithanshme për ndihmën që i jepni Shqipërisë prej dekadash”, tha Berisha, teksa turma brohoriste “O Sali, o hero, gjithë Shqipëria ty të do!”.

“Ne jemi fatkeq, për faktin se sot përfaqësohemi në këtë samit me njeriun i cili duhet të ishte para drejtësisë dhe jo aty i ulur me ju. Ndihemi fatkeq sepse pushteti i atij që na përfaqëson, qëndron mbi krimin elektoral, votën e vjedhur, drogën, korrupsionin dhe të zeza të tjera ndaj këtij kombi. Ky samit është një mundësi e artë që shqiptarëve t’iu dëgjohet zëri, ndaj dhe ne, siç e kërkon tradita, miqve do t’iu themi të vërtetën. Ne nuk jemi këtu në një manifestim festiv, siç do të donim të ishim. Nuk mund të pranonim që ky samit historik për vendin tonë të paraqitej si mbështetje për Ramën dhe qeverinë e tij”.

Berisha u dërgoi një mesazh liderëve të Bashkimit Europian, duke thënë se vendi nuk do të sakrifikojë demokracinë për stabilitetin. “Këtu narkoeurot përdoren për çdo krim, përfshi edhe atë që kishin planifikuar ditën e sotme. Mbi këtë bazë, në Shqipëri është vendosur monizmi i plotë. Madje sot Edi Rama ka pushtet më shumë se sa kishte në vitin 1991, diktatori i fundit komunist. Për treguesin e zbatimit të ligjit, Shqipëria renditet 54 vende ndër Kosovën, por edhe katër vende poshtë republikës socialiste të Vietnamit komunist”, tha Berisha.

“Ndaj nga ky shesh, të zotohemi ne se pa votën e lirë, nuk ka dhe nuk do ketë stabilitet në Shqipëri. Ju ftoj të brohorasim: Poshtë stabilokracia dhe vota e vjedhur, Rroftë vota e lirë! U them udhëheqësve politikë të Europës, se Edi Rama është i padenjë të qëndrojë në atë samit. Shqipëria është në rrezik të vërtetë ekzistencial”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/12/06/berisha-flet-pasi-u-godit-me-grusht-asgje-ne-bote-nuk-na-mposht/

A2 CNN Livestream

Latest Videos