
Arben Pëllumbi, deputet dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste, i ftuar në studion e “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, u pyet se si do të ndryshojë gara kur tashmë përballë në opozitë do të jenë Sali Berisha dhe Ilir Meta.
“Asnjë garë nuk i ngjason tjetrës, pavarësisht aktorëve. Më vjen keq që ish-Presidenti i vendit (Ilir Meta) vijon të përdorë një gjuhë që nuk i shkon figurës politike që ai përfaqëson. Politika shqiptare sot duhet të jetë e pjekur, me strategji dhe programe për t’iu afruar elektoratit. Ne përgatitemi për fushatën që kemi përpara, jemi në fazë të avancuar dhe po punojmë me intensitet të lartë. Do të ketë dhe një takim të kryeministrit me kryebashkiakët, për të parë se si po ecin proceset që janë nisur”, tha Pëllumbi.
“Neve nuk diskutojmë dhe nuk japim opinione se çfarë ndodh me krahun tjetër. Sigurisht që vëzhgojmë dhe nxjerrim konkluzionet tona se si duhet ta përshtasim skemën tonë”, shtoi Pëllumbi. (A2 Televizion)