
Fajtor për moshapjen e negociatave të Bashkimit Europain për vendin tonë, Sali Berisha bëri Edi Ramën, për të cilën hodhi akuza se po përdor çështjen e Bullgarisë për të fshehur pengesën e vërtetë.
“Përpjekjet për të paraqitur murin bullgar si pengesë janë trillime. Nuk është muri bullgar, është muri i krimit, i vjedhjeve, ai që qëndron në të vërtetë në mbylljen e dyerve të Shqipërisë në negociata”, tha Berisha.
Operacionin e SPAK, që vuri në pranga 8 persona nga 32 fletë-arreste të lëshuara, Sali Berisha e cilësoi bllof. Sipas ish-kryeministrit, lajmi i dalë mediatikisht se Nuredin Dumani u bë i penduari i drejtësisë ishte i qëllimshëm, për të njoftuar bosët e krimit të largohen: “U arrestuan gjithsej 7-8 ushtarë, kurse bosët u larguan pasi u njoftuan. Ky njoftim ishte shumë i qëllimshëm, pasi çdo bos ka pas një qeveritar”.
Pavarësisht 8 emrave të dala nga mbledhja e grupit parlamentar të PD, Berisha nuk pranoi të bëhet pjesë e diskutimeve për Presidentin, për sa kohë thotë se opozitës nuk i është dhënë pozicioni që duhet të ketë: “Nuk mundet të bëhet opozita lodër në duart e mazhorancës. Kur kemi diskutuar për Presidentin, nuk ka ardhur Gramoz Ruçi, por Edi Rama në takim. Nuk vendosin ata që nuk përfaqësojnë”.
Gazetarët e pyetën mbi zërat se mazhoranca do të propozojë në dy raundet e fundit kandidaturat e Ardian Dvoranit dhe Ina Ramës: “Të dy subjekte në ndjekje penale për veprimtarinë e tyre në detyrë”.
Socialistët keqpërdorën vizitën e ish-Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, pohoi Berisha, i cili qëndrimet e deputetit gjerman Krichbaum kundër rikthimit të tij në krye të PD, i cilësoi si personale e të bazuara në keqinformim. (A2 Televizion)