
Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, deklaroi në Tiranë se unioni po shikon mundësi për t’i dhënë energji të reja procesit të integrimit, shtyrë kjo dhe nga situata e krijuar pas luftës në Ukrainë.
Sipas Michel, tashmë procesi i integrimit po përshpejtohet pa pritur për t’u plotësuar tërësisht negociatat për anëtarësim.
Shumë gjëra kanë ndryshuar, por jo angazhimi ynë për integrimin e Shqipërisë në BE. Ju falënderoj për mbështetjen e Shqipërisë sidomos pas situatës së krijuar në Ukrainë. Keni qenë një aleat i vërtetë. Shqipëria është pjesë e familjes europiane, e cila mbetet dhe partneri kryesor i saj. Duhet t’i japim energji të reja procesit të integrimit. Duhet të dalim jashtë tradicionales pas zhvillimeve të fundit. Po punojmë për të dhënë rezultate të prekshme për të gjithë shqiptarët dhe partnerët tanë në rajon. Kjo do të thotë që ne po bëjmë përshpejtimin e integrimit tashmë e të mos presim derisa të plotësohen tërësisht negociatat për anëtarësim. Në qershor, do të kemi një takim me udhëheqësit e BE-së. Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe negociatat me të duhet të hapen sa më shpejt. (A2 Televizion)