Berisha “non grata”, heshtja e Bashës pas thirrjes së Yuri Kim dhe sjellja e Ramës

Nga A2 CNN
6 Gusht 2021, 17:51 | Politikë
Berisha “non grata”, heshtja e Bashës pas thirrjes së Yuri

Kryedemokrati Basha nuk ka pranuar të komentojë mbi presionin që Shtetet e Bashkuara po i bëjnë për t’u distancuar nga Sali Berisha as para dhe as pas takimit me ambasadoren amerikane.

Analiza e politikës përmes Aristir Lumezit nga gazeta “Panorama” dhe ekspertes së komunikimit, Edlira Gjoni, e sheh mungesën e artikulimit publik të Bashës si presion që i bëhet nga Berisha dhe dobësi e ardhur pas disa humbjesh me radhe, por edhe si pavendosmëri të kreut të opozitës për të dalë në një qëndrim, duke marrë parasysh dhe kostot përkatëse.

“Berisha, për të mbrojtur emrin e tij mund ta kërcënojë le të themi, prandaj Basha e ka pak të vështirë. Zoti Basha nuk është gjykatës që të thotë nëse Berisha është i fajshëm apo i pafajshëm”, shprehet Lumezi.

“Duket se presioni që ka Basha nga të dy kahet është shumë më i fortë nga ç’mund ta përballojë. Çdo qëndrim që do të mbajë, do të ketë pasoja, sepse gjendet i presuar si në mes të një sanduiçi. Presioni vjen nga qartësia e SHBA ndaj Berishës në njërin krah dhe detyrimi që Basha ndjen ndaj Berishës në krahun tjetër. Por, tek e fundit, liderët njihen për vendimet e forta në kohë të vështira kur situata nuk varet më nga kompetencat, por nga karakteri që lideri tregon. Ky është momenti i Bashës për të reaguar si lider. Ose për të treguar se është aty gabimisht. Kjo e fundit mundtë jetë edhe një nga arsyet madhore pse nuk reagon”, analizon Edlira Gjoni.

Kundërshtari politik i Berishës, Edi Rama nuk e ka përdorur shpalljen non grata të liderit historik të demokratëve si sulm politik ndaj tij. Lumezi risjell në vëmendje deklaratat e Ramës në parlament ku theksonte se Berisha nuk shkel dot në tokën amerikane.

Sipas Lumezit, Rama e ka përdorur çështje politiksht më parë, teksa tani nuk mundet pasi është në të njëjtat kushte si Basha.

“Dy nga personat e tjerë që janë non grata nga DASH janë Dako, për të cilin Rama ka thënë se do të vazhdojë ta ketë mik apo edhe zotin Doshi, me të cilin ka bashkëpunuar në zgjedhje”.

Sipas Edlira Gjonit, kryeministri do ta përdorë çështjen kur t’i duhet, por si përgjigje është edhe ajo çfarë mund të rezervojë e ardhmja e Ramës pa pushtet.

“Kjo sepse njerëz të afërt politikisht të Ramës në Partinë Socialiste, po ashtu janë të shpallur non grata nga SHBA. Të tjerë do të pasojnë, nëse ritmi është ky që po shohim. Por Rama po bën thjesht lëvizje shahu politike, duke ruajtur momentin që të përdorë këtë akt ndaj Berishës apo çfarëdo informacioni tjetër që buron nga veprime e informacione ku ka rol kryesor edhe Rama vetë. Lojë taktike politike që mbart brenda edhe informacione e marrëveshje të bëra po kaq politikisht e për të cilat, do të dëgjojmë kur Rama të mos jetë më në pushtet”. Shtetet e Bashkuara te Amerikës kanë shpallur non grata ish-kryeministrin Berisha, ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe kryesocialdemokratin Tom Doshi, që pas 25 prillit la mandatin e sapofituar të deputetit. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/08/05/berisha-pd-te-kerkoje-prova-dhe-fakte-dhe-te-mos-pranoje-diktatin-nuk-i-druhem-heqjes-se-mandatit/
https://a2news.com/2021/08/05/cfare-do-ti-sugjeronte-bashes-berisha-pergjigjet-prere/
https://a2news.com/2021/08/05/berisha-non-grata-patozi-deri-tani-ka-fituar-vetem-basha/

A2 CNN Livestream

Latest Videos