
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në bashkëbisedimin e përjavshëm me gazetarët, deklaroi se “dje ishte një ditë e keqe dhe e shëmtuar për parlamentin shqiptar”, pasi, sipas tij, “ai nuk ishte Parlamenti i Shqipërisë, por i një republike vasale të Serbisë”.
“Dje, Edi Rama paraqiti në Kuvend një rezolutë, në të cilën dënon me të drejtë, raportin e Dick Marty. Por, siç është bërë publike që nga viti 2011 gjer sot me dhjetëra herë, raporti i Dick Marty është i shkruar në masën 80% nga Vladimir Vukçeviç, prokurori i krimeve të luftës të Serbisë. Këtë e pohon vetë ai. Një fakt tjetër shumë i rëndësishëm, sepse transplantet e organeve nuk i ka përmendur në Hagë as Millosheviçi, as Stanishiçi dhe as Perishiçi, kjo e bënte, për mua, përveç kontekstit që kurrë nuk ka ndodhur, dëshmonte se ishte fabrikim i shërbimeve serbe, në mënyrë që duke akuzuar për një krim kundër njerëzimit më ekstremin, shkulja dhe shitja e organeve, atëherë me këtë akuzë stepeshin të tjerët dhe shtronin çështjen e hetimit të problemit”, u shpreh Berisha.
“Pra, gjithçka ishte e gatuar në Beograd. Sikundër aty është hartuar akuza kryesore se udhëheqësit e UÇK-së kanë drejtuar një organizatë kriminale. Ata kanë udhëhequr një luftë çlirimtare, si të gjitha ushtritë çlirimtare”, shtoi Berisha. (A2 Televizion)