
Dalja me një kandidat të përbashkët e të gjithë opozitës në zgjedhjet lokale të 2023 është propozimi që partitë aleate i bënë Sali Berishës në takimin që u zhvillua të mërkurën në selinë blu. Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka shpjegoi edhe formulën se si mendojnë të zgjedhin emrin që do mbështesë i gjithë fronti opozitar.
“Sipas nesh me e mira dhe më e drejtpërdrejta do të ishte ose me sondazhe ose me primare të hapura”, tha Duka.
Ky propozim sipas Dukës ka edhe mbështetjen e aktorëve të tjerë të opozitës përfshirë edhe deputetët e grupimit Enkelejd Alibeaj, duke nënkuptuar se formula do të zgjidhte edhe problemin e përçarjes në PD.
“Jo vetëm Berisha, por edhe deputetë të Alibeajt janë shprehur dakord, të njëjtën gjë kemi dëgjuar edhe nga zoti Meta. Qasje kjo që u mirëprit nga kryedemokrati Sali Berisha i cili mbështeti i idenë e daljes mënjë kandidaturë të përbashkët edhe pse i qëndron besnik procesit të primareve.
“Partitë aleate të sjellin listat e tyre dhe të bëhen pjesë e primareve”tha Berisha.
Nga grupimi i Alibeajt erdhi edhe një thirrje publike për bashkim, përmes deputetit Kreshnik Çokallaku.
“Partia Demokratike dhe demokratët janë në një test historik mençurie e pjekurie politike. Ky test mençurie kërkon qe egoizmat, ambiciet, rivalitetet e vogla të lihen mënjanë. Fitorja e PD është më e madhe se çdo egoizëm personal, është më jetike se çdo fitore e vogël e një “luftecivile” brenda llojit. Fitorja e PD na dikton të thërrasim arsyen e ftohte dhe përgjegjshmërinë politike. Të bashkuar fitojmë, të ndarë biem të gjithë”.
Ndarja ndërkohë vijon në gjykatë, e cila duhet të vendosë kujt i përket vula e partisë. (A2 Televizion)