
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për mbylljen e kolegjit turk në kryeqytet “Mehmet Akif”. Në një deklaratë për mediat, kreu i selisë blu e cilësoi kreun e qeverisë shqiptare vasal të Erdoganit dhe tha se ky vendim është në shkelje flagrante të së drejtës së shkollimit, por edhe antishqiptar.
“Dua të dënoj me ashpërsinë më të madhe qëndrimin cinik e të ulët të Ramës, ndaj shkollave dhe arsimit privat në Shqipëri, ky vasal i shpifur i Erdogan, i presidentit të Turqisë që e konsideron Shqipërinë si vend ku mund të urdhërojë hapje e mbyllje shkollash, ka urdhëruar mbylljen e një kolegji me parametrat më të mirë dhe histori 26-vjeçare në Shqipëri, kolegjin Mehmet Akif. Rama u tha shqiptarëve se miku i tij me avionin e të cilit udhëton ka blerë godinën, gënjeshtar i lindur. Po me kopshtin që mbylle çfarë kishe? A mundet një kryeministër të bëjë betejë me 255 parashkollorë? ”.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen dhe të mbështesin protestën e nxënësve të kësaj shkolle. Sipas tij ky vendim është marrë jashtë Shqipërie.
“U thirrje qytetarëve që të bashkohen me e kolegjit dhe të mbështesin protestën e nxënësve të kësaj shkolle, se përbën një shkelje të lirisë së shkollimit në vend. Është vendim i marrë jashtë Shqipërie dhe një vendim i turpshëm që ka në bazë lidhje të sëmura dhe të dyshimta. Si mundet kreu i qeverisë së një vendi me urdhër të një vendi tjetër t’u vërë çelësin shkollave dhe kopshte të vendit të tij. E dënoj me forcën më të madhe këtë vendim, antidemokratik dhe antishqiptar, të një njeriu, unë e kam të lehtë të them i kapur nga Sinan Idrizi, por jo, ai është vetëm një pion në këtë skenar të turpshëm, që nuk ndodh në asnjë vend, ndodh vetëm në republikën e mafies së Edi Ramës. Solidarizim me studentët dhe vogëlushët e kopshtit, viktima të një gënjeshtari që nuk njeh ligje dhe as moral”. (A2 Televizion)