Berisha: Refuzova ofertën përrallore nga rusët

Nga A2 CNN
17 Mars 2022, 11:33 | Politikë
Berisha: Refuzova ofertën përrallore nga rusët

Ish-kryeministri Sali Berisha tha për gazetarët në ambientet e jashtme të Parlamentit se ka refuzuar një “ofertë përrallore” nga kompania ruse e gazit “Gazprom” kur ishte kryeministër, duke firmosur marrëveshjen me TAP-in.

“Në marrëdhënien time me Uashingtonin, dy kanë qenë problemet kryesore: NATO dhe TAP-i. Sekretarja Clinton nuk u shpreh haptazi në mbështetje të projekteve, por duke vendosur në dispozicionin tonë stafin e saj më të kualifikuar për energjinë, na dha ndihmë të çmuar për të vijuar betejën tonë në favor të TAP-it. I them mafies së George Sorosit, që më ka shpallur “non grata” për korrupsion, se vetëm për TAP-in, Sali Berishës i janë ofruar shuma përrallore, por qëndrova në mbrojtje të interesave të vendit tim dhe Europës, pasi isha i bindur se një “darë” gazi rus në vendin tonë ishte lajmi më i keq për Europën”, deklaroi Berisha.

Ish-kryeministri bëri me dije se sot, “TAP ka dërguar në Itali 10 njësitë e para të gazit”.

“Ky është gazsjellësi i Europës pa gazin rus, është arritje e madhe për Europën, arritje në të cilën qeveria që unë kryesova, luajti rol përcaktues, pas Azerbajxhanit. TAP-i mund të ishte funksional vetëm nëse kalonte në territorin tonë, territor në të cilin nuk mund të kalonte gazi rus. Atëherë u bënë përpjekje të mëdha për ta sabotuar, pasi donin që korridorin e jugut ta merrnin rusët”, tha Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos