Berisha: Shembja e Teatrit, kushtrim për opozitën. Mosbindje civile deri në rrëzimin e narkodiktaturës

Nga A2 CNN
18 Maj 2020, 18:03 | Politikë
Berisha: Shembja e Teatrit, kushtrim për opozitën. Mosbindje civile

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi para mediave gjatë protestës për Teatrin Kombëtar se ai ishte monument kulture që nuk duhej të prekej kurrë.

“Teatri ka qenë monument kulture, nuk mund të prekej kurrë. Për të gjithë ata që njohin historikun e Tiranës, ishte simboli më i çmuar i kryeqytetit. Që të gjitha të tjerat janë inferiore krahasuar me Teatrin, që ishte vepër e një arkitekti të mirënjohur. Ka një histori nga më të pasurat kulturore të vendit, ishte gjatë diktaturës institucioni më antikonformist i mundshëm, në një kohë kur të tjerët bënin filma për Lej Fenin, Teatri shfaqte Hamletin apo Romeo e Zhuljetën. Kur kollosët e artit internoheshin, Kristaq “Xhelati” gdhendte bustet e Enver Hoxhës dhe i biri tani bëri atë që nuk guxoi të bënte as Enver Hoxha”, tha Berisha.

Kur u pyet nga A2 se çfarë duhet të bëjë tani opozita në kushtet që godina është shembur, Berisha tha: “Shembja është kushtrim për opozitën dhe marshin që ka nisur, ta shndërrojë në mosbindje civile totale deri në rrëzimin e narkodiktaturës. Rama ka krijuar një polici barbare, nuk ka drejtësi. Sot, qytetarët kanë vetëm një mbrojtje: guximin e tyre. Në vend të zyrës, Ramës t’i japin Lanën. Nëse nuk e bëjnë këtë, Shqipëria do të shkojë poshtë e më poshtë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos